Pep Guardiola thotë se Mançester Siti në krizë mund të arrijë majat e sezoneve të fundit pasi të rikthehen të gjithë lojtarët e tij kryesorë, pavarësisht rënies së tyre alarmante.

Kampionët në fuqi të Premier Ligës kanë humbur gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, duke rrëshqitur 11 pikë prapa kryesuesve të Liverpulit. Është një rënie e pabesueshme për një ekip që ka fituar gjashtë nga shtatë titujt e fundit të Premier Ligës, duke përfshirë katër të fundit. Guardiola, skuadra e të cilit pret Notingem Forestin sonte, tha në një konferencë për shtyp para ndeshjes, se ishte i bindur se kriza e Sitit nuk është e pafund.

“Me të gjithë skuadrën këtë sezon, ne do të jemi afër nivelit që arritëm sezonin e kaluar”, tha ai në konferencën e djeshme. Klubi është përfshirë nga problemet e dëmtimeve këtë sezon, më së shumti humbja e fituesit të “Topit të Artë”, Rodri, për pjesën tjetër të sezonit. Një numër titullarësh janë dëmtuar, duke përfshirë Kajl Uokerin, Xhek Grilishin, Kevin De Bryjnen, Mateo Kovaçiçin dhe Ruben Diazin. Pep e përshkroi Sitin si “madhështor” në Liverpul të dielën, pavarësisht humbjes së tyre 2-0.

“Unë do të thosha se nuk jemi larg nga skuadra e dytë në Premier Ligë (Siti renditet dy pikë prapa Arsenalit)”, tha ai. “Por gjithmonë ka rëndësi mënyra se si luani, qëndrueshmëria që keni në zonë dhe shumë gjëra që ju japin mendime pozitive për atë që do të ndodhë në të ardhmen”. Ai shtoi se do të bisedojë me klubin për të ndërhyrë në merkaton e janarit dhe konfirmoi se Ederson mbetet portieri i tij numër një pasi e la në stol në “Anfield”: “Ederson është numri 1, Stefan 2. Por ndoshta Stefan vazhdon të luajë, do të shohim nesër dhe ndeshjet në vijim”.

Mançester Siti është i pamposhtur në tetë ndeshje në ligë kundër Notingem Forestit, që nga humbja 3-2 në shtëpi në kategorinë e dytë në 1997. Foresti i ka humbur katër takimet e fundit të ligës me rezultatin e përgjithshëm 12-0.