Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani ka kthyer shkëlqimin në Çeki.

Të martën mbrëma, Rrahmani shënoi gol dhe asistoi në një tjetër në fitoren 4:1 të Sparta Pragës ndaj Karvinas. Ndeshja ishte e mbetur dhe i takoi xhiros së tetë të kampionatit çek.

Rrahmani ka pasur javë të vështira te Sparta, që po ashtu kaloi formë shumë të zbehtë.

Që në minutën e dytë Rrahmani asistoi për 1:0. Për 2:1 në të mirë të Spartës shënoi reprezentuesi i Shqipërisë, Qazim Laçi, në minutën e 39-të. Ai shënoi nga goditja e dënimit, por topi u devijua.

Për 3:1, Rrahmani shënoi në minutën e 45-të. Realizoi gol të bukur nga distanca.

Në minutën e 60-të, Albion Rrahmani e Ermal Krasniqi u larguan nga loja.

Sparta është e treta me 31 pikë, ndërsa ka një ndeshje më shumë se skuadrat tjera. Slavia Praga udhëheq me 44 pikë. Plzeni është i dyti me 36 pikë.