Përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), kryetari Mlladen Çadikovski dhe drejtori ekzekutiv Dragan Sekullovski, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Rikardo Gutierez, gjatë ditëve të fundit realizuan një seri takimesh me drejtuesit e institucioneve kyçe në Maqedoni.

Siç bëri të ditur SHGM, takime pune u mbajtën me kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov dhe ambasadorin e BE-së Mihalis Rokas.

Në takimin me kryeministrin dhe përfaqësuesit e kabinetit të tij, Çadikovski dhe Gutierez ngritën çështje të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punës së profesionistëve të medias dhe harmonizimin e kuadrit ligjor me standardet evropiane. U diskutua për përmirësimin e kushteve për punonjësit e medias, nevojën për transparencë dhe përfshirje në hartimin e ligjeve që do të avancojnë sektorin mediatik dhe do të mbrojnë lirinë e shprehjes, si dhe për krijimin e mekanizmave Anti-SLAPP dhe një fond për pluralizmin mediatik, të cilat do të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi mediatik të qëndrueshëm dhe të drejtë, qëndron në kumtesë.

Në takimet në Kuvend, shtojnë prej aty, theksi u vu në gjendjen aktuale të hapësirës mediatike në vend dhe rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të lirisë së medias dhe pavarësisë së gazetarëve. SHGM theksoi nevojën për një qasje profesionale në përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive (ASHMAA), proces i cili është në zhvillim, si dhe nevojën që në këtë organ të rëndësishëm të ketë një përfaqësues të komunitetit të gazetarëve. Ata apeluan që gjatë përzgjedhjes të merren parasysh kriteret për profesionalizëm dhe pavarësi të kandidatëve.

Nga SHGM theksojnë se në takimin me ministrin e Drejtësisë, përveç sfidave aktuale me të cilat përballen gazetarët gjatë kryerjes së punës së tyre, u diskutua për paditë SLAPP, të cilat ushtrojnë presion financiar dhe psikologjik mbi gazetarët dhe dëmtojnë interesin publik, si dhe për nevojën e bashkëpunimit të përbashkët për reforma ligjore në përputhje me standardet evropiane.

Ambasadori Rokas dhe bashkëpunëtorët e tij u informuan për nevojën e mekanizmave për mbrojtjen e gazetarëve nga paditë dashakeqe që dëmtojnë lirinë e medias, për një fond për pluralizmin mediatik që do të sigurojë stabilitet financiar për mediat e pavarura dhe do të mbrojë interesin publik. Gjithashtu, u kërkua mbështetje dhe ndihmë e vazhdueshme nga Delegacioni i BE-së për avancimin e lirisë së medias dhe vlerave demokratike në vend.

Nga SHGM shtojnë se këto takime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt avancimit të lirive mediatike dhe forcimit të standardeve demokratike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.