Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tronditi kombin në një fjalim televiziv të martën vonë, duke shpallur ligjin ushtarak dhe duke urdhëruar forcat e ushtrisë të marrin kontrollin mbi ndërtesën e Asamblesë Kombëtare, ku zhvillohen mbledhjet e parlamentit.

Njoftimi shkaktoi një reagim të menjëhershëm, duke i nxitur qytetarët koreano-jugorë të dalin në rrugë për protesta masive, duke përballuar të ftohtin e dhjetorit. Ata kërkuan dorëheqjen e Presidentit dhe heqjen e ligjit ushtarak.

Përplasja zgjati rreth 6 orë, me kamerat që kapën momentet e zemërimit dhe guximit të qytetarëve përpara forcave të armatosura. Ndërkohë që ligjvënësit përpiqeshin të hynin brenda për të mbajtur votimin e tyre, përleshjet shpërthyen në hyrje të Asamblesë Kombëtare mes turmës së njerëzve dhe ushtarëve të armatosur rëndë. Pamjet e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ahn Gwi-Ryeong, u bënë virale në rrjet, ku ajo i kapi armën një ushtaraku dhe i kërkoi të largohej. “Lerini deputetët të shkojnë. Nuk të vjen turp?”- dëgjohet të thotë ajo.