Shkruan: Florim Zeqa

Çdo ditë e më afër po shkojmë drejt zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Sa më afër zgjedhjet, aq më shumë po shtohet kurreshtja e qytetarëve, se cili subjekt do të jetë fituesi i garës së re zgjedhore me akter të vjetër të politikës!

Zgjedhje për riciklim të pushtetit

Vetëm naivët politik mund të shpresojnë se këto zgjedhje do të sjellin ndryshim! Ishin normale pritjet e qytetarëve para zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2021 kur erdhi në pushtet LVV-ja, e cila e rrëmbeu votën e elektoratit, porqë erdhi në fund të mandatit politik pa e plotësuar asnjë kërkesë të qytetarëve!

Tashmë kur janë provuar të gjithë në pushtet, u provuan politikan të profileve të ndryshme dhe politikan të kalibrave të ndryshëm, por i vetmi koalicion që nuk është provuar është ai mes LVV-së me krahët e luftës, përkatësisht me PDK-në dhe AAK-në e përforcuar me NISMA dhe figura tjera të ricikluara politike!

Mbase kjo do të ishte risia e vetme e zgjedhjeve të 9 shkurtit, të tjerat paraqesin vetëm përseritje të pushtetit dhe vazhdimësi të qeverisjeve paraprake.

Edhe pse në dukje të parë mendohet se kemi një vetëdijësim më të madh të elektoratit, asnjëherë nuk kanë qenë hamendjet më të mëdha të elektoratit kë për ta votuar më 9 shkurt!

Premtime boshe dhe pa mbulesë

Kësaj radhe duhet duhet marrë me rezerva premtimet elektorale, madje duhet pasur një kujdes të shtuar ndaj atyre që kan gojën plot ndryshime, porqë në listat e tyre elektorale i kanë të njëjtët njerëz që i mashtruan qytetarët për një gjysëmshekulli rresht.

Si t’iu besohet politikanëve që nuk i përmbushën zotimet dhe premtimet elektorale nga njëri pushtet tek tjetri, si t’iu besohet politikanëve që më shpesh i ndërruan partitë sesa brekët në trupin e tyre!

E kur jemi tek ‘brekët’, disa prej politikanëve që pa brekë i zuri nata, mëngjesi i zbardhi milionerë!

E si t’iu besohet këtyre kusarëve, të cilët me patriotizmin politikë mashtruan qytetarët dhe mërgimtarët duke ua rrëmbyer votën në emër të ndryshimit!

Në fakt, patriotizmi folklorik është bërë një instrument fitimprurës për shumicën e elitave partiake dhe vartësve të tyre, varësisht prej shkathtësisë mashtruese dhe nivelit të ngritjes intelektuale të elektoratit.

Si çdo herë në zgjedhjet e kaluara, edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit radhe mundësia më e madhë e mashtrimit është ndaj shtresave të varfëra përmes ofrimit të lëmoshës në kohë fushate.

Bojkot ose vazhdimësi politike

Në mungesë të një alternative të re dhe serioze politike, elektorati i ka vetëm dy mundësi: t’i votojë të njëjtat parti ose t’i bojkotoj me mosdalje në zgjedhje, gjë e cila do t’i bënte të ndërgjegjësohen politikanët dhe të reformohen deri në themel partitë aktuale të skenës politike.

Ngase që 24 vite rresht i kemi të njëjtat parti në garë me njëra-tjetrën, dhe po të njëjtat në bashkëqeverisje me njëra-tjetrën!

Si rezultat i kësaj, legjislaturat e Kuvendit nuk dallojnë njëra nga tjetra, ndodhë vetëm ndërrim i kolltuqeve, herë në anën e djathtë, në mes apo në anën e majtë të sallës luksoze të Kuvendit të ndërtuar me paratë e Behgjet Pacollit!

Kjo është pasqyra reale e Koloseumit (Kuvendit) në të cilën përballën të njëjtët gladiatorë (politikan) me gojën plot patriotizëm folklorik për Kosovën dhe interesin e qytetarëve, sa për të ngjallur emocione patetetike të momentit për realizimin e kauzave partiake.

Qytetarët tashmë janë ngopur më të njëjtat refrene mashtruese të politikanëve në Parlament, që shiten si heronj të këtij vendi duke u thirrur në emër të qytetarëve për të përfituar poste dhe pasurim të paligjshëm nga buxheti i shtetit!

Dihet kush janë heronjët vertëtë të lirisë së atdheut. Janë ata që kanë luftuar dhe kanë sakrifikuar veten për lirinë e atdheut dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Porqë, ky heroizëm duhet të dëshmohet edhe në paqe duke e sakrifikuar interesin personal për të mirën e qytetarëve duke iu kundërvënë çdo lloj abuzimi të pushtetit, filluar nga ulëset e Parlamentit, Qeveri, Presidencë dhe abuzimet që bëhen në bashkrendim me pushtetin lokal.

Patriotizmi i kandidatëve për deputet në Legjislaturën e Re pas 9 shkurtit 2025 duhet të jetë në parandalimin e zbrazjes së Kosovës nga popullata e saj, me krijimin e kushteve të barabarta për jetë dinjitoze për të gjithë qytetarët pa dallime partiake.

Gjaku i dëshmorëve na e solli lirinë, kurse politika është duke e dërguar shtetin drejt greminës dhe ua humbi shpresat popullatës për jetë në shtetin e lirë dhe të pavarur! Sa e dhimbshme, po aq trishtuese është kur takon çlirimtar dhe djem të dëshmorëve në shtetet evro-perëndimore duke e shkrirë trupin e tyre në Dhe të huaj për një jetë më të mirë!