“Sot realizova një takim të frytshëm me udhëheqësit e rinj të Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë: Rijat Alji, kryeshef i SPB Tetovë; Dalibor Stojanovski, zv/shef i SPB Tetovë; Sinisha Jankovski, shef i Departamentit të Policisë së Uniformuar; Muhamed Ademi, Komandant i SP PP Tetovë; dhe Miroslav Dimitrievski, Komandant i SP për Siguri në Komunikacionin Rrugor-Tetovë. Takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të adresuar sfidat kyçe me të cilat përballet qyteti.
Në takim diskutuam një sërë çështjesh prioritare, përfshirë rregullimin e trafikut dhe kaosit në qytet, me theks në lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme për parkim, eliminimin e parkingjeve të dyfishta dhe ndalimin e parkimeve në vendet ku ka stacione autobusi apo pranë kontenjerëve të mbeturinave. Po ashtu, u shqyrtua gjetja e zgjidhjeve për pikat kritike të trafikut, ku shpesh krijohen bllokime dhe vonesa, duke u fokusuar në riorganizimin e bulevardeve dhe rrugëve kryesore. Një tjetër temë e rëndësishme ishte rritja e sigurisë në shkollat fillore dhe të mesme përmes masave shtesë mbikëqyrjeje dhe koordinimi. Për fund, u vendos që të merren masa parandaluese ndaj përdorimit të mjeteve piroteknike, për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët në periudhën festive të fundvitit.
Komuna e Tetovës dhe SPB Tetovë do të vijojnë bashkëpunimin për të sjellë zgjidhje të qëndrueshme dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët” ka shkruar Kasami