Miliarderi amerikan Elon Musk njoftoi të shtunën vonë se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, është funksional tani edhe në territorin e Kosovës, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, shkroi në X: “Starlink tani edhe në Kosovë”.
Muaj më parë, Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se e kishte autorizuar kompaninë amerikane Starlink për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.
Çfarë do të thotë kjo?
Me Starlink-un Kosova do të përfitojë internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme.
Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.
Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla.
Anëtarja e bordit të ARKEP-it, Rrezarta Duraku Rizaj, kishte thënë në nëntor për Radion Evropa e Lirë se leja për operim për Starlink-un ishte hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.
“Autorizimi i Starlink-ut ka më së shumti impakt në rritjen e sigurisë nacionale, sidomos në periudhë konfliktesh. Kjo, për faktin se pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Starlink-ut gjendet në hapësirë dhe është e paprekshme nga dëmtimet e mundshme në kohë lufte apo katastrofash natyrore në Tokë”, ka thënë Duraku – Rizaj.
Ajo beson se kjo përparësi mund të shfrytëzohet nga bizneset dhe nga institucionet qeveritare, sidomos ato të sigurisë, të cilat menaxhojnë infrastrukturë kritike.
Si funksionon?
Porositjen e shërbimeve do të mund ta bëjë secili në faqen e Starlink-ut, duke kërkuar adresën më të afërt.
Pas porosisë, Starlink-u do t’ia dërgojë klientit pajisjen marrëse, e cila lidhet me satelitët në hapësirë.
Rrezarta Duraku Rizaj tregoi asokohe se marrësi i përdoruesit është i vogël, portativ dhe mund të përdoret në lokacione të ndryshme, si për shembull në mal, në terrene të vështira, e vende të tjera ku nuk ka qasje të mirë në internet.
Përcaktimi i çmimeve do të bëhet varësisht prej fuqisë blerëse lokale të secilit shtet.
“Tarifimi përbëhet nga dy komponentë: blerja e hardverit në fillim, terminali me pajisjet përcjellëse që blihen një herë, dhe një tarifë mujore që do të varet nga planet e shërbimit që janë të disponueshme në faqen e internetit”, tregoi ajo.
Shpejtësia e internetit që ofron Starlink-u është 120 deri në 250 megabit për sekondë (mbps), varësisht se a bëhet fjalë për plane individuale apo për biznese.
Operatorët në Kosovë, aktualisht, mundësojnë internet më të shpejtë. Ekonomive familjare u ofrohet internet deri në 500 mbps në kuadër të pakove të kombinuara me shërbime televizive, me çmime deri në 35 euro.
Darsej Rizaj e pranon që sa i përket shpejtësisë, Starlink-u nuk iu bën konkurrencë operatorëve lokalë, por është plan i mirë rezervë, në rast të dështimit të linjave tokësore.
Starlink-u pati marrë gjithë vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.
Vendimi i Muskut për të mbuluar Ukrainën me internet ishte konsideruar jetik për shumë operacione të ushtrisë ukrainase, por edhe për rimëkëmbje të infrastrukturës së energjisë dhe komunikimit.
Starlink now in Kosovo https://t.co/GFxBRn3geL
— Elon Musk (@elonmusk) December 21, 2024