Mërgimtarët e Strugës që kanë ardhur për festat e fundvitit në vendlindje, kanë gjallëruar qytetin, por edhe ekonominë e vendit.

Këto ditë të gjithë shijojnë atmosferën e Vitit të Ri dhe i gjithë qyteti është zbukuruar me drita.

Hotelet dhe gastronomët e Strugës janë të përgatitur kurse kapaciteteve janë mbushur, kryesisht me mysafirë nga Bullgaria, Shqipëria dhe Kosova, por edhe me turistë vendor. Çmimet për një prenotim treditor sillen nga 250 euro për person.

Megjithatë, përparësia e Strugës është se çmimet janë më të ulëta se në Ohër.

“Para dy muajve, hoteli ishte i mbushur për festat e Vitit të Ri. Këtë vit kemi mysafirë edhe nga Hungaria, të cilët më parë nuk kanë qenë dhe shpresojmë për bashkëpunim të ri dhe të suksesshëm edhe në atë treg. Struga është gjithmonë më e lirë se Ohri, pasi me çmimin e prenotimeve kemi edhe program shumë më të pasur që ofrojmë. Në vitet e mëparshme kemi ofruar edhe lundrim dhe drekë me mjellmat më 1 janar me muzikë të gjallë dhe zgarë para plazhit”, tha Ana Jançeva- menaxhere hoteli.

Në Strugë edhe këtë vit nuk do të ketë festë të organizuar për Vitin e Ri në qiell të hapur. Por, do të zhvillohen edhe ngjarje të tjera, siç është eventi më 30 dhjetor, ku organizohet festë para Vitit të Ri për më të rinjtë.

Edhe Ohri do të jetë i mbushur me njerëz për festat e Vitit të Ri. Më shumë do të ketë nga Serbia dhe Bullgaria, të cilët do të qëndrojnë dy – tre ditë. Këtu, për dallim nga Struga, do të ketë pritje të organizuar në sheshin e qytetit, ku do të performojë Karolina Goçeva dhe interpretues të tjerë vendas.