Ministri shqiptar i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, iu është kundërpërgjigjur përmes Albanian Post, deklaratave të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, sa i përket të drejtave të shqiptarëve në RMV, duke thënë se ajo herë pas here bie pre e keqinformimeve.
Në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve: Kosovës dhe Shqipërisë, të premten, në Prishtinë, Osmani tha se ekzistojnë tendenca për të destabilizuar Maqedoninë e Veriut, përmes largimit të drejtat e shqiptarëve atje, derisa kërkoi nga Kosova dhe Shqipëria që të mos heshtin për këtë çështje.
“Derisa po flasim dhe jemi bashkuar në këtë kuvend akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut. Pra, për të destabilizuar edhe këtë vend, duke larguar të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, si popull konstituiv i Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Osmani.
Por, njëri nga shqiptarët më të pushtetshëm aktualisht në RMV, thekson se deklaratat e Presidentes së Kosovës “nuk do të thotë se janë gjithnjë po kaq të rëndësishme sa vet ajo”.
“Unë e çmoj shumë presidenten Osmani dhe më vjen keq që ajo herë pas here bie viktimë e keqinformimit”, potencoi Taravari në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.
Deklaratat e Osmanit vijnë në një kohë kur në Maqedoni të Veriut po diskutohet për shfuqizimin e disa neneve të Ligjit për Gjuhë, të cilat do të afektonin drejtpërdrejtë përdorimin e Gjuhës Shqipe – çështje që parashihej të ndodhte në seancën e 11 dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese, por e njëjta u shty për një afat të pacaktuar.
Ndryshe nga seç mendon Osmani e opozita shqiptare në RMV – dhe jo vetëm – sa i përket të drejtave të shqiptarëve në RMV, e paraqet situatën Taravari, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN” – përfaqësues të shqiptarëve në qeverinë e Hristjan Mickoski-t.
Ai pohon se nuk ekziston asnjë lloj rreziku për cenim të të drejtave të shqiptarëve në RMV, përkundrazi.
“Në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë rrezik për t’i marrë të drejtat shqiptarëve, madje kam Kënaqësinë ta njoftoj Osmanin se Shqiptarët sapo kanë fituar të drejta që ishin shkelur prej 22 vjetësh”, i dërgon mesazh Taravari presidentes përmes AP-së.
Në gusht të këtij viti, Osmani kishte pasur një incident në aeroportin e Shkupit, ku punonjësit e sigurimit të aeroportit kishin tentuar që t’ia merrnin telefonin, madje ishte raportuar se edhe e kanë shtyrë, gjë për të cilën kishte pasur reagim të ashpër nga presidenca.
Në një linjë me Osmanin sa i përket të drejtave të shqiptarëve në RMV nuk është kryeministri Albin Kurti.
Kurti, në një konferencë të përbashkët për media nga Prishtina me homologun maqedonas, Hristjan Micksoki, tha se nuk po cenohet Gjuha Shqipe në RMV dhe se e njëjta nuk është zyrtare.
Kjo deklaratë e Kurti shkaktoi reagime të shumta kundërshtuese nga opozita shqiptare në RMV, por edhe nga opozita në Kosovë.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, reagoi duke thënë se gjuha shqipe është zyrtare dhe do të mbrohet.
Kreu i BDI-së theksoi se Marrëveshja e Ohrit është arritur përmes gjakut të dëshmorëve, ndërsa është jetësuar me djemtë më të mirë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) që vazhduan idealin e tyre në BDI.
“Andaj sa të jetë gjallë BDI-ja, në opozitë apo në pozitë themelet e Marrëveshjes së Ohrit nuk tolerojmë të preken”, potencoi.
Opozita shqiptare në RMV dhe jo vetëm, vazhdimisht janë duke e cilësuar Qeverinë e Mickoski-t si “anti-shqiptare”, gjë që kundërshtohet nga Mickoski dhe partneri shqiptar i tij qeverisës, koalicioni “VLEN”.
Lideri i BDI-së ka filluar aksionin opozitar për të kundërshtuar qeverinë e Mickoski-t, e cila, siç thotë ai, nuk ka legjitimitet etnik.
Kjo për faktin se lideri i VMRO-DPMNE-së Mickoski bëri marrëveshje qeverisëse me koalicionin “VLEN”, të cilët ishin humbës të zgjedhjeve në taborin shqiptar.
Me këtë veprim, Mickoksi shkeli parimin e fituesit me fituesin (në taborin shqiptar dhe në atë maqedonas).
Përveç kësaj, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë edhe një sërë veprimesh që janë konsideruar si “anti-shqiptare”. Largimi i shqiptarëve nga pozitat të rëndësishme publike dhe zëvendësimi i tyre kryesisht me maqedonas njëra ndër to.
Pos kësaj, gjatë kësaj qeverie fillimisht u ndryshua Balancuesi (mekanizmin që rregullonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë të bashkësive etnike në administratën publike), duke u ulur përfaqësimi i shqiptarëve nëpër institucione dhe u rrit ai i maqedonaseve dhe serbëve, ndërsa më vonë u shfuqizua në tërësi.
Veprim tjetër ka qenë tentativa për shfuqizimin e disa neneve të Ligjit Për Përdorimin e Gjuhëve përmes Gjykatës Kushtetuese, ku do të afektohej drejtpërdrejtë përdorimi i Gjuhës Shqipe në RMV, mirëpo në seancën e 11 dhjetorit vendimi u shty për një kohë të pacaktuar.