Grupi i zbuluar terrorist, qelia e ISIS, i formuar nga katër persona, ndërsa në të cilin ishin pjesëtarë edhe persona deri më tani të panjohur, ka planifikuar një akt terrorist kundër objektivave civile dhe objekteve publike, informoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Toshkovski theksoi se sektori për luftë kundër terrorizmit më 15 dhjetor në Prokurorinë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur kallëzim penal kundër katër personave nga Gostivari dhe Struga, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer vepër penale Organizim terrorist nga neni 394-a nga KP.

“I denoncuari i parë në fillim të vitit 2024 ka formuar një organizatë terroriste-kriminale në të cilën bëjnë pjesë edhe personat tjerë, si dhe disa persona të tjerë të panjohur për momentin. Të gjithë së bashku kanë formuar një organizatë terroriste, një qeli të bazuar në matricën ideologjike të organizatës së njohur terroriste ISIS, me synimin për të kryer një akt terrorist kundër civilëve ose të ashtuquajtura objektive të buta, gjegjësisht objekte publike në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. I dyshuari i parë në fillim të vitit 2024 ka formuar disa grupe në rrjetin social Telegram ku ka shprehur gatishmëri të plotë dhe synimin për kryerjen e sulmit terrorist, si dhe inkurajoi persona të tjerë për të kryer sulme terroriste në Evropë. Në grupet, ka ndarë materiale propaganduese të fituara dhe të përpunuara më parë – të përkthyera të ISIS-it, duke rekrutuar anëtarë të rinj, duke bërë përpjekje për të marrë armë zjarri, si dhe duke ndarë udhëzime për prodhimin e mjeteve shpërthyese të improvizuara që më pas do të përdoreshin për të kryer sulme terroriste”, tha Toshkovski.

I pyetur për organizatën terroriste, Toshkovski deklaroi se qëllimi i tyre ishte t’i shkaktonin dhimbje Maqedonisë dhe qytetarëve të Maqedonisë.

“Kemi shumë prova për këtë dhe ata persona janë në paraburgim. Dhe në të ardhmen do t’u përgjigjemi qartë, saktë dhe në mënyrë të duhur të gjithë të tjerëve që do të tentojnë t’i bashkohen organizatave të caktuara terroriste në këtë mënyrë, të cilët do të duan t’i shkaktojnë dhimbje qytetarëve të Maqedonisë dhe çdo qytetari tjetër në çdo vend. Ka dyshime të bazuara se ata donin të vepronin jo vetëm në Maqedoni, por edhe jashtë Maqedonisë”, tha Toshkovski.

Paraprakisht, Prokuroria Themelore Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut informoi se për shkak të veprës penale për të cilën ngarkohen, rrethanave, si dhe plotësimit të kushteve për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori publik i gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot ka sugjeruar që të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.