Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka emëruar ambasador të SHBA-së në Vatikan Brian Burch-in, një konservator i hapur dhe kryetar i organizatës jofitimprurëse ‘CatholicVote’, i cili është kritik i zëshëm i Para Françeskut, transmeton Anadolu.

Vatikani, i referuar shpesh si “Selia e Shenjtë”, shërben si selia e Kishës Katolike Romake dhe drejtohet nga Papa Françesku.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se Brian Burch do të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Selinë e Shenjtë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Duke theksuar se Burch është një katolik “i devotshëm”, Trump tha se Burch ka fituar çmime “të shumta” dhe ka treguar udhëheqje “të jashtëzakonshme”, duke kontribuar në rritjen e një prej organizatave më të mëdha të avokatisë katolike në SHBA.

Ai gjithashtu vlerësoi Burch-in për ndikimin e tij në mbështetjen e votuesve katolikë në zgjedhjet e nëntorit.

“Ai më përfaqësoi mirë gjatë zgjedhjeve të fundit, pasi kishte mbledhur më shumë vota katolike se çdo kandidat presidencial në histori”, theksoi Trump.

Burch, nga ana e tij, në rrjetet sociale tha se Kisha Katolike është institucioni fetar “më i madh” dhe “më i rëndësishëm” në nivel global, duke shtuar se marrëdhënia e saj me SHBA-në ka “rëndësi jetike”.

Ai shprehu gjithashtu angazhimin për të punuar me udhëheqësit brenda Vatikanit dhe administratën e re për të mbështetur dinjitetin e të gjithë njerëzve dhe për ta çuar përpara të mirën e përbashkët.

Burch prej kohësh ka shprehur kritika ndaj Papa Françeskut dhe në disa raste ka kritikuar qeverisjen e tij.

Pas vendimit të Papa Françeskut të vitit 2023 që lejonte priftërinjtë të bekojnë individë në sindikatat e të njëjtit seks, Burch e kritikoi masën duke e akuzuar Papën për shkaktimin e “konfuzionit” brenda Kishës Katolike.

Më tej, ai parashikoi se Papa tashmë 88-vjeçar nuk do të qëndrojë në detyrë edhe shumë më gjatë dhe theksoi se Papa i ardhshëm duhet të “sqarojë” pasiguritë e epokës së Françeskut.