Detaje të reja dalin në dritë lidhur me atentatin e ndodhur sot në Athinë, ku një shqiptar mbeti i vdekur e një tjetër i plagosur.

Krahas 45-vjecarit Irakli Davella nga fshati Mesopotam i Bashkisë Finiq, i cili mbeti i vrarë, i plagosur rëndë ka mbetur edhe një shqiptar i identifikuar si Edi Lulo 46 vjeç.

Nuk dihet nëse ky është identiteti zyrtar i tij, apo kështu njihet. Sipas burimeve zyrtare, ai kishte pak ditë që kishte mbërritur nga Dubai në Greqi.

Nuk dihet ende se kush ka qenë objektiv i atentatit, pasi edhe Davella rezulton i përfshirë në një grup kriminal shqiptaro-grek, i cili prej vitesh vepronte në Athinë dhe drejtohej nga të ashtuquajturit “kumbarë të natës”.

Tre prej pjesëtarëve të grupit ku bënte pjesë më parë Davella, rezultojnë të ekzekutuar më parë e disa të arrestuar.

Irakli Davella rezulton të ketë marrë nënshtetësi greke në vitin 2009. Ai është pronar i një lokali në zonën e Peristerit në Athinë dhe gjatë verës jepte edhe automjete me qira në ishujt grekë.