Një 26-vjeçar është akuzuar si autor i vrasjes së shefit ekzekutiv të UnitedHealthcare, Brian Thompson, ngjarje e ndodhur javën e kaluar në qytetin e Nju Jorkut.

Luigi Mangione u arrestua në një McDonald’s në qytetin Altoona, Pensilvani, rreth 450 km në perëndim të qytetit të Nju Jorkut pasi një klient e njohu atë.

26-vjeçarit, në momentin kur u vendos në pranga, iu gjet një armë dhe një dokument i shkruar me dorë.

Luigi Mangione doli në një gjykatë të Pensilvanisë ku iu komunikuan 5 akuza dhe iu mohua lirimi me kusht, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

I veshur me xhinse dhe një bluzë të kaltër të errët, Mangione dukej i qetë gjatë seancës, duke parë herë pas here të pranishmit, përfshirë mediat.

Vetëm disa orë më vonë, hetuesit e Nju Jorkut e akuzuan Mangione për vrasje dhe katër akuza të tjera, përfshirë akuzat për armë zjarri.

50 vjeçari Thompson u qëllua për vdekje pas shpine mëngjesin e së mërkurës së kaluar jashtë hotelit Hilton në Midtown Manhattan, ku UnitedHealthcare, gjiganti i sigurimeve që ai drejtonte, po mbante një takim investitorësh.

Policia thotë se ai ishte në shënjestër të një vrasjeje të planifikuar paraprakisht.

Hetuesit zbuluan se gjetja e Mangione ishte një surprizë e plotë, pasi nuk e kishin emrin e tij në listën e të dyshuarve.

Ishte një klient i McDonald’s në Altoona që e njohu të dyshuarin për shkak të fotove të publikuara në media dhe njoftoi një punonjës, i cili më pas informoi policinë.

Kur policia mbërriti, Luigi Mangione u tregoi atyre një patentë shoferi të falsifikuar në New Jersey me emrin Mark Rosario, thuhet në dokumentet e gjykatës.

Ai heshti dhe filloi të dridhej kur një oficer e pyeti nëse kishte qenë në Nju Jork kohët e fundit. Kur iu tha se do të arrestohej nëse gënjente, ai tregoi emrin e tij të vërtetë, sipas dokumenteve të gjykatës.

I pyetur pse gënjeu, ai u tha oficerëve se “nuk duhet ta kisha bërë”. Gjatë kontrollit në çantën e shpinës së tij iu gjet një armë dhe një karikator të mbushur me gjashtë fishekë municioni 9 mm.

Prokurorët thanë se ai mbante gjithashtu një pasaportë amerikane dhe 10.000 dollarë para kesh.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume