Gjykata Themelore e Pejës e ka dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Edmond Lajqi për vrasjen e bashkëshortes së tij Gj.U.

Vendimin e ka mirëpritur familja e viktimës, derisa falënderuan gjykatësin, transmeton Telegrafi.

“Sot gjykata e dha vendimin final, që neve si familje na lehtëson pak dhimbjen, e dënoi me burgim të përjetshëm. Falënderojmë gjykatësin per vendimin e marrë. Drejtësia është veç kështu dhe s’ka ndryshe”, tha vëllai i viktimës para mediave.

Gjithashtu, ai tregoi se edhe fëmijët e viktimës janë mirë.

“Fëmijët janë mirë, kanë ngrohtësi, por nuk mundem me ia dhanë ngrohtësinë që ia ka dhënë nana e tyre, ata realisht kurrë nuk kanë pasur babë, pasi ai nuk ka punuar dhe nuk është kujdesuar për ta, por gjithmonë motra jonë ka punuar dhe ka qenë pranë tyre. Ne mundohemi që në mënyrë sa më të mirë te kujdesem per ta”, shtoi tutje ai.

Po ashtu, ai u shpreh se gjykata nuk do të bëjë lëshime, dhe se Lajqi do ta vuajë dënimin.

Ndyrhse, Gjykata Themelore e Pejë e ka dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Edmond Lajqi për vrasjen e bashkëshortes së tij Gj.U.

Aktgjykimi ndaj Lajqit u shpall të premten nga gjykatësi, Musë Povataj.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Lajqi për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” dënohet me burgim të përjetshme, kurse për armëmbajtje pa leje gjyqtari Povataj tha se nuk ka dënim për të njëjtin, ndërsa i konfiskohet arma me të cilën e ka kryer krimin.