Shkruan: Florim Zeqa

Zgjedhjet e 9 Shkurtit 2025 nuk do të sjellin ndryshim, por vetëm vazhdimësi të keq-qeverisjes. Pavarësisht ndryshimeve të vogla kozmetike në qeverisjen e ardhshme, mentaliteti qeverisës do të mbetet i njëjtë dhe i pandryshuar siq ishte tani e 17 vite më parë nga ri-shpallja e pavarësisë së vendit tonë.

Endërrat e venitura të qytetarëve

Aq e pashpresë dhe e padurueshme është bërë jeta e qytetarëve në këtë vend, saqë jo një “bombë” sociale, por një bombë atomike duket të jetë e pamjaftueshme për ta larguar këtë klasë banditësh dhe kusarësh nga skena politike kosovare (shqiptare)!

Edhe pas ndryshimit të fundit politik të vitit 2021, pushtetarët aktualë na e bënë të qartë, se në Kosovë nuk ka vend për njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë. Për ne që nuk jemi pjesë e klaneve të politikës dhe parapolitikës, për ne që mendojmë ndryshe, për ne që e duam Kosovën me shpirtë e me zemër na kanë mbetur vetëm dy rrugë: t’i detyrojmë këto klane mafioze të largohen nga skena politike, ose populli i ndershëm do t’i mbledhë plaçkat për të ikur përgjithmonë nga ky vend.

Politikanët e papërgjegjshëm Kosovën nga një vendi i shpresës dhe i ardhmërisë e kanë kthyer në një vend ku endërrat shndërrohen në iluzione, ku shpresat vdesin akoma pa lindur, ku vdekja të shoqëron gjithkund dhe në çdo hap të jetës.

Shqiptarët e Kosovës në të kaluarën e afërt që identifikoheshin me heroizmin, trimërinë, krenarinë, atdhedashurinë, solidaritetin, humanizmin dhe tolerancën, sot janë kthyer në njerëz që urrejnë njëri-tjetrin, nga besnikë në tradhtarë, nga besimtarë në fanatikë fetarë, nga politikanë në biznesmenë matrapazë, nga mbrojtës të pasurisë shoqërore në shkatërrues të ardhmërisë!

Nëse deri dje morali njerëzor ishte vlera absolute e shoqërisë sonë, sot maskarallëku dhe poshtërimi njerëzor e kanë njollosur imazhin dhe e kanë mjegulluar të ardhmen e shoqërisë sonë.

Ikja nga vendi nuk është shpëtim

Aq e pashpresë dhe e padurueshme është bërë jeta e qytetarëve në këtë vend, saqë jo një “bombë” sociale, por një bombë atomike duket të jetë e pamjaftueshme për ta larguar këtë klasë banditësh dhe kusarësh nga skena politike kosovare (shqiptare)!

Edhe pas ndryshimit të fundit politik të vitit 2021, pushtetarët aktualë na e bënë të qartë, se në Kosovë nuk ka vend për njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë. Nuk ka vend për ne që nuk jemi pjesë e klaneve të politikës dhe parapolitikës, për ne që mendojmë ndryshe, për ne që e duam Kosovën me shpirtë e me zemër na kanë mbetur vetëm dy rrugë: t’i detyrojmë këto klane mafioze të largohen nga skena politike, ose populli i ndershëm do t’i mbledhë plaçkat për të ikur përgjithmonë nga ky vend.

Ata që ikin nga vendi, ikin duke mallkuar tokën që i rriti, shkaku i një grushti të vogël kusarësh politikë, që ua thyen të gjitha shpresat për jetë në vendin e tyre.

Andaj, zëri i ndërgjegjes kombëtare thërret si kushtrim në ndërgjegjen e atdhetarëve me gjak të pastër kombëtarë, për bashkim të mendjeve dhe zemrave edhe një herë sikurse në fillim të viteve të ’90-ta, për ta nxjerrë Kosovën nga kthetrat e uzurpatorëve, matrapazëve dhe zhvatësve të buxhetit të shtetit, nga rrënuesit e vlerave dhe traditave tona kombëtare.

Ardhja në pushtet e një Alternative të Re politike, e një klase të përgjegjshme politike, e aftë për ndryshime pozitive, do të krijonte kushtet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare. Pothuajse çdo gjë është bërë e padurueshme në vendin tonë, mirëpo edhe durimit qytetar i ka ardhur fundi nga padrejtësitë dhe prapësitë e shumta politike.

Shteti i ri për dikë është bërë “nënë e për dikë tjetër njerkë”, siç thotë populli, dikujt i mundësoi t’i ketë të gjitha të mirat e kësaj bote, e dikujt tjetër asgjë, Kosova u bë parajsë për pushtetarët, u shndërrua në ferr për qytetarët!

“Të gjithë bashkë kundër së keqës”, duhet të jetë slogani i ndryshimit e jo t’i dëgjojmë slloganet mashtruese të partive dhe politikanëve të njëjtë kinse për ndryshim!

Të bashkohemi në luftën për ndryshim, për ta mobilizuar popullatën pa dallime partiake, ideologjike apo fetare.

Kjo është mundur të arrihet me unitet dhe forcë për ndryshime pozitive, me solidaritet, humanizëm dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.

Të mos mbetemi edhe më tutje robër të politikave të papërgjegjshme të grupeve të interesit, të mos bëhemi skllevër të kusarëve politikë, të atyre që 25 vjet rresht rropën e ç’rropën e gjithë pasurinë e këtij vendi.

Largimi i qytetareve nga vendi nuk është zgjidhja e problemeve, përkundrazi e thellon akoma më tepër varfërinë dhe denigrimin social, shton orekset e pushtetarëve për gllabërimin e mëtutjeshëm të pasurive publike dhe shtetërore.

Insistimi im i vazhdueshëm për ndryshimet pozitive në vendin tonë, nuk e nënkupton ‘pasurimin’ e skenës politike edhe me një subjekt të ri, por në esencë, është përpjekja ime për finalizimin e projektit madhor për themelimin e një lëvizje të re politike, e cila në gjirin e vet do të tubojë elektoratin e zhgënjyer nga të gjitha partitë politike, sa të dështuara, po aq të konsumuara përgjatë këtyre 25 viteve të fundit në liri.