Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti ka takuar sot Komunitetin Shqiptar të Selanikut. Në takimin që u realizua në Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Mexhiti tha se kjo vizitë ishte një mundësi për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe atyre që jetojnë në rajon.

“Ishte një nder i veçantë që sot, në Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, takova Komunitetin Shqiptar të Selanikut. Vizita e tyre në Shkup është një akt simbolik që na kujton lidhjet e thella mes shqiptarëve, pavarësisht vendit ku jetojmë.
Instituti ku u zhvillua takimi është një institucion i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe për forcimin e identitetit kombëtar. Kjo vizitë ishte një mundësi për të ripërtërirë angazhimin për mbrojtjen e gjuhës, zakoneve dhe traditave tona, si dhe për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe atyre që jetojnë në rajon”, tha Mexhiti. Ai më tej shtoi se si Zëvendëskryeministër i Parë, mbetet i angazhuar për të promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar dhe për të krijuar një shoqëri ku çdo qytetar ndihet i respektuar dhe i barabartë.