Në një të ardhme të afërt, Neymar Junior do të largohet nga Al-Hilal si huazim, ani pse në fund do të jetë largim i përhershëm pasi kontrata e tij me gjigantin arab skadon në fund të sezonit.
Neymar pati një kohë të vështirë që prej se u largua nga Paris Saint-Germaini në verën e 2023.
Ai u bë emri i madh, së bashku me Cristiano Ronaldon në Arabinë Saudite, por pati vështirësi më shumë se portugezi, madje këputi edhe ligamentin ACL.
Është pothuajse e sigurt që Neymar do të rikthehet tek klubi i tij i fëmijërisë Santos, ani pse ai mund të ketë qenë një opsion për Barcelonën.
Sipas një raportimi nga gazetari Victor Navarro, blaugranasve së fundmi iu ofrua mundësia që të rikthejnë njërin prej lojtarëve të tyre më të mirë në 15 vitet e fundit.
Ky lajm vjen vetëm pak ditë pasi drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, tha se Neymar është ende mjaftueshëm i mirë sa për të luajtur për çdo klub në botë, përkundër vështirësive që ka pasur në vitet e fundit.
Ai qartësisht e pa brazilianin si një opsion të mirë për skuadrën e Hansi Flick, por natyrisht një lëvizje e tillë është gati e pamundur për shkak të problemeve financiare.