Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në plan programin për qeverisje nga ana e partisë së tij janë paraparë të ndahen 80 milionë euro investim për Brezovicën.
Gjatë vizitës atje, Abdixhiku ka theksuar se ky vend ka mbetur peng i guximit për të investuar, dhe në programin e tij 80 milionë euro do të ndahen për teleferikë të rinj, gondola e shtigje të reja.
“Brezovica ka mbetur peng i guximit për të investuar. Do të investojmë! Edhe atë fort e shumë. Plot 80 milionë euro në programin tonë janë paraparë të ndahen për Brezovicën, për teleferikë të rinj, gondola e shtigje të reja; pa përfshirë këtu investimet private në komplekse hotelierike e mirëmbajtje, që tejkalojnë këtë shumë më pas”, ka deklaruar ai.
Ai ka njoftuar se këtë projekt e ka prezantuar sot para komunitetit të skitarëve e dashamirëve të Brezovicës.
“Kishte entuziazëm; kishte shpresë. Do të ketë punë pas shkurtit. Brezovica po vjen! Aty ishte edhe Beni, edhe Visari babai i Kianas, edhe Agroni mësuesi i gjeneratave; ishin dhe studentët e edukatës fizike – të gjithë dashamirë të skijimit, natyrës e vet Brezovicës”, ka shkruar tutje ai në Facebook.