Aksidenti me 3 të vdekur në Kosovë dyshohet se u shkaktua nga Policia, suspendohet polici që ishte shofer
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit të mbrëmshëm, në fshatin Çubrel të Skenderajt, ku mbetën tre të vdekur, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas IPK-së, bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë, i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.
Njoftimi i IPK-së:
Hetuesit e IPK-së mbrëmë rreth orës 19:00 janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku ku ishte përfshirë një automjet zyrtar i policisë dhe një veturë civile.
Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes duke ju bashkëngjitur edhe ekipeve tjera policore dhe prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë në fshatin Çubrel në ora 18:40.
Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.
Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra fatkeqësisht kanë ndërruar jetë.
Trupat e pajetë të tre viktimave janë dërguar janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.
Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.