Sipas njoftimit të policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:40 në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, ku janë përfshirë dy automjete, njëra prej të cilave ishte veturë zyrtare e policisë.

“Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara, kanë humbur jetën tre persona civilë, ndërsa pesë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë,” thuhet në njoftim.

Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet e nevojshme. Hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor janë duke u marrë me zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Lidhur me rastin janë njoftuar Institucioni i Policisë së Kosovës (IPK) dhe Prokurori kompetent, të cilët pritet të marrin pjesë në hetimet e mëtejshme.

Hetimet janë në vazhdim dhe pritet të dalin informacione të reja lidhur me këtë ngjarje tragjike.