Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës kanë reaguar ndaj vendimit të Gjykatës për faljen e organizatorëve të 27 prillit.
Nga ASH thonë se këtë padrejtësi e mundësoi qeveria aktuale VLEN-VMRO-DPMNE.
Reagimi i plotë:
Falja e organizatorëve të 27 prillit dhe përndjekja e shqiptarëve, (pa)drejtësia që solli Qeveria Vlen-DPMNE
“Drejtësia” për këtë Qeveri nënkupton padrejtësi në thelb. Lirohen kriminelët dhe terroristët, ndërsa dënohen qytetarët e pafajshëm, lirohen maqedonasit dhe dënohen shqiptarët. Kjo praktikë e filluar me vendimet e drejtorit të burgjeve për të liruar disa nga sulmuesit e 27 prillit, vendimet gjyqësore për lirimin e të tjerëve, e konfirmuar sot edhe me faljen e organizatorëve të “27 prillit”, e nga ana tjetër shqiptimin e dënimit për Agim Islamin dhe mospërfilljen e super ekspertizës që dëshmon pafajsinë e tij, arrestimin e shqiptarëve më 28 Nëntor, tregon qartë se çfarë “drejtësie” na solli Qeveria Vlen-DPMNE.
“Makedonija povtorno tvoja” nënkupton falje dhe mbrojtje për çdo maqedonas që shkel edhe Kushtetutën dhe përndjekje e burgosje për shqiptarët edhe kur festojnë.
Vendimi i sotëm për faljen e organizatorëve të 27 prillit varros drejtësinë, rrezikon të ardhmen europiane të vendit dhe cënon marëdhëniet ndëretnike. Maqedonia e Veriut përfundimisht rikthehet në vitet e 90-ta, ndërsa e gjithë kjo ndodh falë vasalitetit të disa shqiptarëve që për poste personale pranuan të realizojnë projektin më të rrezikshëm për shqiptarët në veçanti dhe qytetarët e vendin në përgjithësi.
– Aleanca për Shqiptarët –