Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk ka të ndalur përdorimi i gjuhës së papërshtatshme dhe ofendimet midis deputetëve.

Së fundmi deklarata dhe fjalor të pahijshëm kanë drejtuar në adresë të njëri tjetrit deputetët Talat Xhaferi nga Fronti Evropian dhe Rijad Shaqiri nga Vlen ndaj këtij të fundit kanë reaguar nga BDI.

Në reagimin e tyre thuhet se BDI shpreh indinjatën më të thellë ndaj deklaratës së paprecedentë dhe çnjerëzore të deputetit të Vlen-it në Kuvend, që përdori një retorikë fyese dhe të papranueshme ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Kjo gjuhë nuk është vetëm një degradim i debatit politik, por ka tronditur ndjenjat e shumë qytetarëve, të cilët dje shprehën me të drejtë neverinë dhe refuzimin e tyre për një sjellje të tillë.

BDI i bën thirrje partisë Vlen të distancohet menjëherë dhe qartësisht nga kjo gjuhë e turpshme dhe të ndërpresë përdorimin e një retorike që shkel parimet e respektit dhe dinjitetit njerëzor.

Vazhdimi i heshtjes do të konsiderohet si një miratim i kësaj sjelljeje të papranueshme dhe një akt që minon dinjitetin e përfaqësimit politik të qytetarëve. Ne mbetemi të vendosur të ruajmë dinjitetin dhe vlerat e larta që duhet të përfaqësojë Kuvendi dhe të refuzojmë degradimin e debatit në nivele të tilla të ulëta, thuhet në reagimin e BDI-së.