Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se autoritetet amerikane po hetojnë një lidhje të mundshme midis shpërthimit të një automjeti “Cybertruck” në hotelin “Trump International” në Las Vegas, Nevada dhe sulmit me furgon në New Orleans, Luiziana, transmeton Anadolu.

Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Biden konfirmoi se administrata e tij po monitoron gjithashtu shpërthimin para hotelit “Trump International”. “Forcat e zbatimit të ligjit dhe komuniteti i inteligjencës po hetojnë gjithashtu këtë, duke përfshirë nëse ka ndonjë lidhje të mundshme me sulmin në New Orleans”, tha ai.

Në New Orleans, një automjet i bardhë “Ford F-150” kaloi nëpër “Lagjen franceze” rreth orës 3:15, duke shtypur dhe vrarë të paktën 15 persona, si dhe duke plagosur më shumë se 30 të tjerë. FBI-ja e identifikoi sulmuesin si Shamsud-Din Jabbar, 42-vjeç, shtetas amerikan nga Teksasi, veteran i ushtrisë. FBI tha se Jabbar mund të mos ishte i vetmi përgjegjës.

Duke cituar zyrtarë të FBI-së që e informuan atë, Biden tha se Jabbar, disa orë para sulmit, postoi video në mediat sociale duke treguar se ai ishte frymëzuar nga DEASH-i dhe shprehu dëshirën e tij për të vrarë.

“Në automjetin e tij është gjetur flamuri i DEASH-it, ndërsa automjetin e ka marrë me qira për të kryer këtë sulm. Po ashtu në automjet janë gjetur eksplozivë të mundshëm dhe aty pranë janë gjetur edhe më shumë eksplozivë. Situata po zhvillohet shpejt dhe hetimet janë në fazën paraprake”, tha presidenti amerikan.

Biden tha se forcat e zbatimit të ligjit dhe komuniteti i inteligjencës po vazhdojnë të kërkojnë për ndonjë lidhje ose bashkëpunëtor në sulmin në New Orleans, duke shtuar: “Ne nuk kemi asgjë shtesë për të raportuar në këtë moment. Hetimi po vazhdon të jetë aktiv dhe askush nuk duhet japë përfundime të shpejta”.

“Unë e drejtova ekipin tim që të sigurohej që çdo burim të vihet në dispozicion të zbatimit të ligjit federal, shtetëror dhe vendor për të përfunduar hetimin në New Orleans shpejt dhe për t’u siguruar që nuk ka asnjë kërcënim të mbetur për popullin amerikan”, theksoi ai.

– Shpërthimi i automjetit “Cybertruck”

Në Las Vegas, një person është konfirmuar i vdekur pasi automjeti “Cybertruck” shpërtheu para hotelit “Trump International”, konfirmoi policia të mërkurën.

Personi i vdekur ishte brenda automjetit në momentin e shpërthimit, ndërsa nga shpërthimi u plagosën shtatë kalimtarë. Videot e postuara në mediat sociale shfaqin automjetin të përfshirë në flakë mes shpërthimeve të shumta të vogla dhe zhurmës së asaj që duket të jenë fishekzjarre.

Më herët, shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, sugjeroi një lidhje të mundshme midis shpërthimit në Las Vegas dhe sulmit në New Orleans, pasi siç theksoi ai, të dyja automjetet janë marrë me qira përmes aplikacionit “Turo”.

“Me sa duket mund të jetë një akt terrorizmi. Edhe ky ‘Cybertruck’, si dhe bomba vetëvrasëse ‘F-150’ në New Orleans, janë marrë me qira nga ‘Turo’. Ndoshta ato janë të lidhura në një farë mënyre”, u shpreh Musk në X.