Britania, Franca dhe Gjermania shprehën të premten shqetësimin e tyre për zbatimin e një ligji nga Izraeli që ndalon çdo kontakt midis zyrtarëve të tij dhe agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, raporton Reuters.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit të punojë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë OKB-në, për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga të tri vendet, të publikuar nga qeveria britanike.

Ligji, i cili u miratua në tetor dhe hyri në fuqi të enjten, ndalon UNRWA-n të veprojë në tokën izraelite dhe e pengon agjencinë të ketë çdo kontakt me autoritetet izraelite.

Zyrtarët izraelitë kanë akuzuar disa punonjës të UNRWA-së për përfshirje në sulmin e 7 tetorit 2023 nga Hamasi dhe se janë anëtarë të grupit militant palestinez.

OKB-ja ka njoftuar të enjten se UNRWA po vazhdonte të ofrojë ndihmë dhe shërbime në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

E themeluar në vitin 1949, UNRWA ofron ndihmë, shërbime shëndetësore dhe arsimore për miliona njerëz në territoret palestineze dhe vendet fqinje arabe të Sirisë, Libanit dhe Jordanisë.