“Ranieri është një trajner veteran, që po jep këshilla për të gjithë. Ai dëgjohet dhe kuptohet nga lojtarët, sepse prek fijet e duhura. Ranieri është njeriu i duhur për të rikthyer qetësinë në ekip, te lojtarët dhe te tifozët. Po demonstron se e kupton shumë mirë futbollin, rezultatet janë pasojë logjike. Nuk është mosha për t’u kritikuar.

Shpeshherë në këto raste thuhet që një trajner është i përfunduar. Ishte i përfunduar Ancelotti, i cili tani te Real Madridi po fiton gjithçka. Ishte i përfunduar Ranieri, i cili po bën mirë te Roma. Përvoja është një cilësi e rëndësishme”.

LEXO EDHE:
Marrëveshja e bujshme/ Mesfushori 18-vjeçar i Tiranës transferohet te klubi i Serie A
Kështu u shpreh Fabio Capello, ish-trajner i Romës, Milanit dhe Real Madridit, një nga teknikët më të suksesshëm të futbollit italian, gjatë një interviste për “Radio Anch&io Sport”.

Lufta për titull: “Napoli mund të fokusohet vetëm te kampionati, mund të punojë për t’i përmirësuar pikat e forta dhe të dobëta gjatë javës. Kur një lojtar është i lodhur, ka mundësinë të stërvitet më pak. Conte ka një përvojë të madhe, arrin t’i mbajë të gjithë lojtarët në nivelin më të lartë. Në luftën për titull është edhe Atalanta. Me formacionin startues që hodhi në fushë në Superkupë, Gasperini më la përshtypjen se është shumë ambicioz për kampionatin. Interi ka shumë cilësi. Edhe kur i ndryshon lojtarët, niveli i cilësisë mbetet gjithmonë i lartë. Inzaghi mund t’ia lejojë vetes këto rotacione, ndonjëherë ndoshta e tepron, por rezultatet i japin të drejtë”.

Vështirësitë e Vlahovic dhe nevoja për Zirkzee te Juventusi: “Zirkzee është lojtari që lidh të gjithë lojën që dëshiron të bëjë Thiago Motta. Vlahovic nuk ka teknikë të madhe, është më shumë sulmues i zonës së rreptësisë. Nëse nuk e çon aty, bëhet e vështirë për të që të shënojë. Kur Motta e heq nga loja, e bën sepse mendon se Vlahovic nuk bën pjesë në sistemin e lojës që dëshiron të zbatojë. Është një zgjedhje si taktike, ashtu edhe teknike”.

Fundi i “muajit të mjaltit” mes Motta dhe tifozëve të Juves: “Ata i kanë dhënë besim të gjitha ideve të trajnerit, por për momentin rezultatet nuk janë ato që priteshin. Motta po kritikohet me të drejtë, edhe pse pjesën e parë kundër Milanit në Riad u pa Juventusi më i mirë i kësaj periudhe”.

Largimi i Fonsecës nga stoli kuqezi: “Kur zgjidhet një trajner, gjithmonë mendohet se është bërë zgjedhja e duhur. Nuk ka pasur harmoni mes tij dhe skuadrës. Kemi parë gjëra që nuk i kishim parë kurrë te Milani. Kontrasti mes trajnerit dhe lojtarëve ishte i dukshëm që në fillim”, tha Capello në analizën e tij.