Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të deklasifikuar mijëra dokumente sekrete që lidhen me vrasjen e presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, si dhe me vrasjet e senatorit Robert F. Kennedy dhe liderit të të drejtave civile, Martin Luther King Jr. Kjo masë, e ndërmarrë në javën e parë të mandatit të dytë të Trump, përmbush një premtim të fushatës së tij për transparencë në këto ngjarje historike.

Duke folur para gazetarëve, Trump premtoi të enjten se “gjithçka do të zbulohet.” Urdhri ekzekutiv i tij udhëzon drejtorin e inteligjencës kombëtare dhe Prokurorin e Përgjithshëm që brenda 15 ditësh të hartojnë një plan për publikimin e dokumenteve të mbetura mbi vrasjen e Presidentit Kennedy. Për dosjet që lidhen me vrasjet e Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr., afati është 45 ditë.

Pavarësisht direktivës, nuk është e qartë se kur këto dokumente do të bëhen publike. Trump dorëzoi stilolapsin e përdorur për të nënshkruar urdhrin një ndihmësi, duke kërkuar që t’i dorëzohet Robert F. Kennedy Jr., të cilin ai ka emëruar si sekretar të Shëndetësisë në administratën e tij të re.

Vetëm disa mijëra nga miliona dokumente qeveritare që lidhen me vrasjen e JFK mbeten ende të klasifikuara. Studiuesit sugjerojnë se këto dosje mund të hedhin dritë mbi rrethanat e vrasjes, edhe pse shumica nuk presin zbulime të mëdha.

“Gjithmonë ekziston mundësia që diçka të dalë në pah që të jetë maja e një ajsbergu më të madh,” tha Larry J. Sabato, drejtor i Qendrës për Politikë në Universitetin e Virxhinias.

Kennedy u vra më 22 nëntor 1963, ndërsa autokolona e tij kalonte nëpër qendrën e Dallasit. Lee Harvey Oswald, një ish-marins 24-vjeçar, u identifikua si vrasësi, por ai u qëllua për vdekje nga pronari i një klubi nate, Jack Ruby, dy ditë më vonë. Kjo ngjarje nxiti dekada teorish konspirative.

Urdhri i Trump-it përfshin gjithashtu deklasifikimin e dokumenteve që lidhen me vrasjet e Martin Luther King Jr. dhe senatorit Robert F. Kennedy në vitin 1968. Edhe pse nuk ka asnjë akt kongresional që kërkon publikimin e këtyre dokumenteve, urdhri ekzekutiv thekson se kjo është në interesin publik.

Martin Luther King Jr. u vra më 4 prill 1968, në Memphis, Tennessee, ndërsa mbështeste grevat e punëtorëve të pastrimit. James Earl Ray pranoi fajësinë për vrasjen, por më vonë e tërhoqi atë dhe vazhdoi të këmbëngulte për pafajësinë e tij deri në vdekje. Dokumentet e FBI-së kanë treguar se agjencia përgjoi telefonatat e King-ut, vendosi pajisje përgjimi në dhomat e tij të hotelit dhe përdori informatorë për të mbledhur informacione kundër tij.

Dy muaj më vonë, më 5 qershor 1968, Robert F. Kennedy u vra në Hotelin Ambassador në Los Angeles, disa çaste pasi mbajti fjalimin e fitores për zgjedhjet paraprake demokratike në Kaliforni. Autori i vrasjes, Sirhan Sirhan, u dënua për vrasje të shkallës së parë dhe po vuan dënimin e përjetshëm.

Edhe pse urdhri ekzekutiv synon të sjellë transparencë, studiuesit mbeten skeptikë. Shumë nga dokumentet e vrasjes së JFK përfshijnë operacione të ndjeshme të CIA-s, përfshirë detaje për vizitat e Lee Harvey Osëald në ambasadat sovjetike dhe kubane pak javë para vrasjes.

Rreth 3,000 dokumente të dosjeve JFK mbeten ende të klasifikuara, plotësisht ose pjesërisht, shumica e të cilave i përkasin CIA-s.

Në vitin 1992, Akti për Dosjet e JFK kërkoi që të gjitha dokumentet që lidhen me vrasjen të ruheshin në Arkivat Kombëtare dhe të mos bëheshin publike deri në vitin 2017, përveç rasteve kur presidenti të përcaktonte përjashtime. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump vonoi publikimin e disa dokumenteve, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare.