Çmimi i naftës çelësi për paqen në Ukrainë? Trump me një propozim interesant për t’i dhënë fund luftës
Duke iu drejtuar Forumit Ekonomik Botëror, presidenti amerikan u zotua të ushtrojë presion mbi OPEC-un, duke pretenduar se një rënie e çmimit të naftës do t’i jepte fund agresionit rus në Ukrainë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka pohuar se luftës në Ukrainë mund t’i jepet fund nga rënia e çmimit të naftës.
Duke folur përmes videolidhjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Trump tha se do t’i kërkonte Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) të ulë çmimin e naftës, duke thënë se kjo do t’i jepte fund agresionit rus në Ukrainë “menjëherë”.
“Tani për tani çmimi është mjaft i lartë që ajo luftë do të vazhdojë, ju duhet të ulni çmimin e naftës dhe t’i jepni fund luftës”, tha Trump.
Bëhet e ditur se OPEC përbëhet nga 12 vende të pasura me naftë, duke përfshirë Irakun, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët së bashku përbëjnë rreth 40% të furnizimit global të naftës.
Pesha e tyre e madhe si bllok do të thotë se ata mund të ndikojnë në mënyrë dramatike në çmimin e naftës duke rritur ose ulur prodhimin, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Raportohet se Trump u zotua të ushtrojë presion ndaj Arabisë Saudite dhe OPEC-ut për të ulur çmimet e naftës, duke sugjeruar se masat ekonomike, dhe jo ndihma ushtarake, mund të jenë çelësi për t’i dhënë fund konfliktit.
Presidenti i inauguruar së fundmi shprehu gjithashtu gatishmërinë për t’u angazhuar drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës.
Ndërsa ai nuk ka ofruar detaje se si do të negocionte paqen, Trump ka këmbëngulur se “Ukraina është e gatshme të bëjë një marrëveshje”.
Por, besueshmëria e strategjisë së Trumpit është e paqartë.
Ndryshe, Rusia ka përballuar një sërë sanksionesh të SHBA-së dhe Evropës që nga fillimi i agresonit rus në Ukrainë pothuajse tre vjet më parë.
Nafta kishte qenë eksporti më i madh i Rusisë në SHBA, por kjo tregti u ul në vitin 2023.
Ndërkohë, Irani është edhe anëtar i OPEC-ut dhe aleat rus dhe mund të tërhiqet kundër planit të propozuar të Trumpit.
Megjithatë, presidenti amerikan po propozon të urdhërojë një valë të re shpimesh amerikane për naftë dhe gaz vendas, gjë që gjithashtu mund të ulë çmimet globale dhe të ushtrojë presion mbi Rusinë.
Volodymr Zelensky tha: “Gjëja kryesore është të mos ngadalësohet dhe të bëhet presion mbi Rusinë, entitetin e vetëm që dëshiron këtë luftë”.
“Burimet e energjisë dhe veçanërisht nafta janë një nga çelësat më të rëndësishëm të paqes, të sigurisë reale. Evropa duhet të punojë më shumë me Amerikën dhe partnerët e tjerë në botë, jo me Rusinë, në lidhje me burimet energjetike”, shtoi ai.
Në fillim të kësaj jave, Trump kërcënoi gjithashtu se do të vendoste “nivel të lartë taksash, tarifash dhe sanksionesh” ndaj Rusisë nëse Putin nuk bën një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.