“Për Ukrainën, anëtarësimi në NATO është garancia e vetme dhe konkrete për sigurinë e Kievit”. Kështu shprehet presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një intervistë për gazetën e përditshme italiane “Il Foglio”.

Zelensky kujtoi Memorandumin e Budapestit të vitit 1994 me të cilin Ukraina hoqi dorë nga armët e tij bërthamore në këmbim të garancive nga SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia se do ta mbronin atë në rast të çdo rreziku.

“Mësuam se sa e rrezikshme është të shkëmbejmë diçka reale – armë bërthamore – me fjalë të shkruara në ujë. Duhet t’i kishim shkëmbyer armët me garanci konkrete sigurie, që në atë kohë nënkuptonin vetëm një gjë, me NATO-n dhe që sot do të thotë vetëm një gjë, NATO”, tha kreu i shtetit ukrainas duke theksuar se Kievi duhet të ishte bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike vite më parë.

“Historia jonë e fundit është arsyeja pse ne nuk jemi më të gatshëm të heqim dorë nga diçka që na takon pa pasur një garanci serioze në këmbim të paqes. Në këmbim të heqjes dorë nga armët tona bërthamore, ne morëm luftë,” përsëriti Zelensky.

“Dialogu i kryeministres Giorgia Meloni me presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump “është një lajm i mirë për Italinë”, por “mund të jetë i dobishëm për Evropën” dhe “Shpresoj se mund të jetë i dobishëm edhe për Ukrainën. Përveç roleve që luajmë, ne jemi të gjithë njerëz – Donald Trump, Giorgia Meloni dhe unë – dhe marrëdhëniet njerëzore që jemi në gjendje të krijojmë janë të rëndësishme. Unë kam një marrëdhënie të mrekullueshme me të (Melonin), e konsideroj një person besnik dhe një mik. E di që Donald Trump ka një marrëdhënie të mirë dhe i beson asaj. Shpresoj vetëm që marrëdhënia e Melonit me presidentin amerikan të mos jetë më e mirë se ajo që ka me mua”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas shtoi më tej se Trump, “thotë se me të vërtetë dëshiron t’i japë fund luftës”. Zelensky tha se ai vlerësonte fjalët e fundit të Trump, në të cilat presidenti amerikan kërcënoi Rusinë me sanksione të reja nëse një marrëveshje paqeje nuk arrihej shpejt. Trump e quajti atë një “luftë qesharake” dhe paralajmëroi presidentin rus Vladimir Putin se “gjërat do të ishin shumë më keq” nëse nuk arrihet marrëveshje. “Kur Trump thotë ‘më keq’, ai do të thotë më keq për Rusinë. Është e rëndësishme që një person i fortë t’ia përcjellë këtë mesazh Putinit”, shpjegoi Zelensky.