Këshilli Gjyqësor/ Kambovski: Gjykatësit që nuk punojnë sipas ligjeve, nuk e kanë vendin në sistemin Gjyqësor!
Këshilli Gjyqësor do të udhëhiqet me integritet, paanshmëri dhe me përpjekje maksimale për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit – tha Kryetari i ri i zgjedhur I Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
I pyetur nëse do të ketë përgjegjësi për gjykatësit që janë nën sanksione amerikane, Kambovski shprehu bindjen se secili gjykatës që nuk do të punojë sipas ligjeve, por sipas interesave personale ose ka rënë nën ndikime, nuk e ka vendin në sistemin gjyqësor.
“Është koha e që t`u themi fund, për shkak se në Maqedoni ka 400 gjykatës dhe është koha që ato 15, 20 t`i mënjanojmë nga radhët tona. Nuk them konkretisht për gjykatësin Bexheti, për shkak se procedurë patjetër të ketë. Procedurat janë sekrete dhe nuk mund të ndahen detaje”- tha Kambovski.
Rreth paralajmërimeve për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që zgjidhen nga Kuvendi, pasi Parlamenti miratoi raportin negativ për punën, Kambovski shprehet se duhet të veprohet konform ligjeve.
Duhet të kemi bashkëpunim edhe me pushtetin ekzekutiv por edhe me atë ligjvënës, potencoi Kambovski, i pyetur nëse do të inicojë takim me Kryeministrin Mickoski, sikurse paraardhësja e tij, Vesna Dameva.
“Ne jemi pjesë e sistemit të sundimit në këtë shtet, të tre pushteteve. Ne duhet të ndihmohemi me njëri-tjetrin dhe të kontrollohemi. Ky është kuptimi dhe për këtë shkak është bërë Kushtetuta. Kështu funksionon në botë. Tek ne vështirë vendosen linjat e kontrollit dhe balancit midis tre pushteteve, por shpresoj se do të arrijmë standarde më të larta të veprimit dhe bashkëpunimit” – tha Kambovski.
Kryeministri Mickoski vazhdon me paralajmërimet për reforma në Këshillin Gjyqësor, duke përmendur shkarkimin e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi.
Besimi prej 2% për gjyqësorin si dhe arrestimi i Gjykatësit të Supremes, Naqe Georgiev, janë arsyetimet e garniturës qeveritare dhe Kryeministrit Mickoski për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit.
Komisioni Evropian shfaqi shqetësime ndaj këtyre paralajmërimeve, duke potencuar se shkarkimi i Këshillit mund ta minojë pavarësinë e gjyqësorit.