Paulo Dybala ka folur për ëndrrat e tij dhe të ardhmen, duke zbuluar gjithashtu disa detaje të panjohura gjatë një bisede me shokun e skuadrës në Romë, Leandro Paredes, në transmetimin Twitch të “streamer”-it Coker.
“Dua ta fitoj Ligën e Kampionëve, me Romën ose me çdo ekip tjetër”, – ka deklaruar Dybala, duke theksuar se objektivi i tij është të ngrejë kupën me veshë të mëdhenj, edhe pse ka arritur tashmë sukses madhor me Argjentinën në “Katar 2022”.
Më pas, “Joyoa” ka zbuluar një prapaskenë interesante lidhur me të kaluarën e tij në merkato: “Në të kaluarën kam qenë shumë afër përfundimit të dy transferimeve, njëri prej të cilave te Paris Saint-Germain”.
Ky zbulim tregon se karriera e tij mund të kishte marrë një drejtim tjetër, me PSG-në që dukej si një destinacion konkret. Dybala ka folur gjithashtu për eksperiencën e tij me kombëtaren argjentinase, veçanërisht për fitimin e Kupës së Botës në Katar: “Dy ose tri ditët pas fitores ishin më ta fortat në aspektin emocional të jetës sime”.
Në fund, lidhur me të ardhmen e tij te Roma, argjentinasi ka parashikuar se shumë shpejt do të skadojë klauzola e tij prej 12 milionë eurosh në kontratë. Claudio Ranieri, lidhur me këtë, ka shprehur një mendim të qartë: “Nuk dua njerëz të pakënaqur. Paulo është një kampion. Nëse do të qëndrojë, duhet të qëndrojë.
Kontrata? Nuk është punë e imja, por e drejtuesve për të vendosur nëse do ta rinovojnë apo ta përfundojnë. Mua më takon vlerësimi teknik dhe të kuptoj nëse mund të jetë një lojtar i vlefshëm për trajnerin. Të dyja këto gjëra Dybala i ka”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.