Intervistë e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhënë për gazetaren Neta Fero të Politiko.al.

1- Ju u pyetët për gati 3 orë në SPAK (7 janar) dhe në një reagim falënderuat mediat që iu njoftuan që do paraqiteshit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. A nuk ju kishin njoftuar paraprakisht?

Jo aspak, nuk isha i njoftuar zyrtarisht sipas ligjit dhe procedurave. Por e mësova vetëm nga titrat e TV, ndaj edhe i falenderova.

Kur këtë ankesë ia shprehëm prokurorit, ai u habit se e kishte firmosur që në 30 Dhjetor dhe nuk e kuptonte si s’kishte mbërritur në 6 Janar kur zyra e tij dhe qelia ime janë vetëm 100 metra largësi në vijë ajrore, por kjo është çudia më e vogël.

Meqënëse ata ishin të interesuar për lobimet, çudia më e madhe mbetet se për Edi Ramën një shqiptaro-amerikan bëri burg që ky të bënte një foto të paligjshme dhe me pagesë të paligjshme me Presidentin Obama dhe po kështu, Charles McGonigal, kryezbuluesi i FBI, është në burg prej vitesh edhe për korrupsion me Shqipërinë, në një dosje ku emri i Edi Ramës është dhjetëra herë dhe deri më sot askush se ka parë Edi Ramën në dyert e SPAK-ut.

Ndërsa për Ilir Metën s’ka asnjë proces gjyqësor në SHBA ku emri i tij të jetë përmendur apo një person që të jetë dënuar për shërbime ndaj Metës. Për më tepër që kurrë as kam firmosur ndonjë pagesë apo dhënë ndonjë autorizim për pagesa të paligjshme. Kontratat me kompanitë lobuese miratoheshin në kryesi dhe caktoheshin personat përgjegjës për të firmosur ose ndjekur ato.

2- Ju keni deklaruar para togave të zeza se akuzat për mosdeklarim pasurie i konsideroni tendencioze, pasi sipas jush, me plotësimin e formularëve të pasurisë është marrë ish- bashkëshortja, Monika Kryemadhi. Po ashtu keni thënë se nuk mbani përgjegjësi për shpenzimet e familjarëve, përfshirë ish- bashkëshorten dhe ish- vjehrrën tuaj. A nuk është kjo një ” hedhje” e Kryemadhit para SPAK?

Akuzat për mosdeklarim pasurie nuk janë tendencioze, por të turpshme dhe skandaloze. Nëse unë do kisha një pasuri të padeklaruar, ju mendoni se SPAK- u nuk do e kishte sekuestruar me ekzaltimin më lejfenian?

Për fatin e tyre të keq, qindra letër-porosi të nisura kudo kanë rezultuar një zero me xhufkë, ndaj nën urdhrat e Ramës dhe te Mckonigalëve vendosën të më “sekuestronin” mua fizikisht, duke më rrëmbyer si banditë rrugësh pa asnjë shkresë dhe akt zyrtar.

Po kështu sipas ligjit të ILDKPI unë kam bërë deklarimet e pasurisë dhe të ardhurave cdo vit dhe kurrë nuk kam marrë një vërejtje, paralajmërim apo gjobë nga ky Institucion. Po kështu, deklarimi im ka qenë i dyfishtë edhe si subjekt i drejtpërdrejtë, por edhe si person i lidhur për shkak të pozicionit të ish-bashkëshortes time e cila ka qenë deputete.

Ligji e bën të qartë se ti s’mund të mbash përgjegjësi për deklarimet e familjarëve të tu. Kështu që këtu nuk ka as “hedhje” as fshehje nga ana ime. Dihet publikisht se ish-bashkëshortja ime dhe nëna e saj kishin bashkëpronësi në një pallat të ndërtuar në tokën e tyre, pallat i firmosur edhe nga Rama edhe nga Basha si kryebashkiakë të Tiranës.

Unë as mund të kontrolloja e as nuk isha kurioz se si shtoheshin e pakësoheshin llogaritë e tyre bankare nga shitjet e apartamenteve apo për interes të tyre. Edhe i vetmi rast që dukej se kishte një mospërputhje për një operacion që unë kam bërë në vitin 2013 në Vjenë është e qartë se është manipulim i SPAK , i cili deklaronte se shpenzimet e mia të pakësuara ishin 10 mijë euro, ndërkohë që ato ishin 14.000 euro të deklaruara.

Por kjo 4 mijë euro atëherë ishte mbi 5 milionë lekë të vjetra (se krijimi i SPAK- ut përmbysi edhe kursin e euros). Pra zero mosdeklarim nga 32 vite jetë publike të hetuar ndaj meje nga SPAK- u dhe Edi Rama. Ndërsa denoncimin për mashtrimet e Edi Ramës lidhur me deklarimet e tij, sipas Avokates Adriana Kalaja, Altin Dumani as nuk e kishte regjistruar.
Se s’dua të flas për “krimin intelektual” të imceneratorit të Tiranës që vetëm SPAK nuk e shikon.

3- A keni hasur probleme në ambientet e burgut? Si sillen me ju?

Edhe në burg ka jetë dhe është interesante. Këtu më shumë se ngjysma e njerëzve janë të dënuar kot ose sa për të fryrë statistikat. Para disa ditësh u lirua, për fat të mirë, një burrë i vjetër, saldator, i cili ishte futur si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, pa patur asnjë lidhje e njohje me atë grup.

Ai thjesht i kishte bërë nje saldim një personi të panjohur të cilit për hakun e punës i kishte marre 10 euro. Më pas me këtë mjet ishte transportuar një ngarkesë kanabis dhe te makina kishin dale gjurmët e gishtave të saldatorit i cili s’kishte asnjë njohje me autorët dhe as dijeni se çfarë bënin ata.

Më në fund, mbas 16 muajsh, një gjykatës e kishte lexuar me kujdes dosjen dhe e liroi një hallexhi që kishte 5 fëmijë për të rritur. Raste të tilla ka pafund. Personalisht jam përshtatur shumë mirë dhe e konsideroj si një periudhë detoksifikimi dhe ripërtëritjeje.

4- Çështje pezull jashtë keni lënë? Kush janë/është i besuari juaj?

Janë të panumërt të besuarit e mi dhe ata e dinë shumë mirë se unë jam këtu për të mbrojtur lirinë e tyre dhe të fëmijëve të tyre për të cilët ata duhet të luftojnë më shumë.

Një fëmijë 14 vjeç humbi jetën në oborrin e shkollës para 3 muajsh dhe familjarët ende nuk kanë marrë një përgjigje transparente nga Shteti për këtë fatkeqësi tragjike.

Sepse ky është një pushtet që mbahet dhe ushqehet me fatkeqësitë që shkakton me papërgjegjshmërinë e tij.

5- Berisha është pyetur nëse do të jeni pjesë e listës për deputet dhe është shprehur se do jeni në listat e fitores. Si e komentoni ju. A keni kontakt me Opozitën dhe a kanë ardhur për t’ju vizituar?

Në çdo rast unë do të kandidoj dhe zgjidhem deputet në 11 Maj. E rëndësishme është që të gjithë faktorët opozitarë të vërtetë të bashkohen në betejë kundër Narkoregjimit.

Sigurisht që PL është në kontakte e koordinim me PD e forcat e tjera Opozitare dhe do marrë vendimet më të mira ne kohën e duhur. Vizitat e Avokatit Gjokutaj mjaftojnë për të gjitha forcat opozitare dhe më gjerë madje.

6- Në një intervistë mediatike nga qelia keni zbuluar se keni pasur oferta për tu arratisur nga vendi, para se te burgoseshit. Ju e keni paraprirë arrestimin tuaj?

Pa diskutim që këtë arrestim e kam paraprirë vetë, pasi prej shume vitesh ( edhe si Kryetar Kuvendi edhe si President) kam denoncuar me fakte dhe akte shndërrimin e Reformës në Drejtësi me 140 vota në një Ramaformë me 69 vota që ishte dhe mbetet një grusht shteti me qëllim asgjësimin e pluralizmit politik, llogaridhënies e të drejtave të njeriut për ta shndërruar Shqipërinë në një koloni penale të Sorosit dhe regjentit të tij Edi Rama.

Sigurisht që këtë arrestim e kam paraprirë vetë duke refuzuar betimet te Lana të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kam refuzuar presionet e Mckonigalëve për të heshtur e pranuar shkeljet e turpshme të Kushtetutës për të instaluar Narkoregjimin e Edi Ramës.

Po kështu e kam paraprirë vetë këtë arrestim duke refuzuar të bëhem noter i Edi Ramës për aferën e Detit duke shkelur me vetëdije Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe dëmtuar interesat sovrane të Shqipërisë.
E natyrisht duke kundërshtuar ndryshimin e kufijve (gjymtimin) e Kosovës dhe refuzuar kandidaten e tij të panjohur për Ministër të Jashtëm.

Padyshim edhe për të gjitha ato beteja të vërteta të bëra edhe i vetëm për 2 vite e gjysëm si President në mbrojtje të Kushtetutës për të cilat Komisioni i Venecias me dha të drejtë.

7- A mendoni se fakti që ju ndodheni në mungesë lirie do të ndikojë në Partinë e Lirisë si dhe a do jetë e vështirë për të arritur të merrni mbështetje nga qytetarët?

Partia e Lirisë është përballë një sfide të jashtëzakonshme dhe unë jam i bindur se do kalitet dhe rritet për shkak të kauzave të mëdha që ajo përfaqëson e mbron.

Prej 27 Prillit ne kemi një program të shkëlqyer të 5 prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus. Për Partinë e Lirisë zgjedhjet kurrë s’kanë qenë të lehta sepse kauzat tona prishin interesa dhe pazare të mëdha që janë në kurriz të popullit dhe kombit tonë.

Por armiqtë tanë janë armiqtë e të gjithë shqipëtarëve të ndershëm e patriote, ndaj të forcojmë komunikimin me shqiptarët cdo ditë në mënyrë që ky vend të ketë diell për të gjithë siç e ka dhënë zoti dhe t’i japim fund kësaj tiranie antishqiptare që i bullizon ata cdo ditë dhe kërkon ti lerë pa Atdhe dhe pa identitet në emër të ” shoqërisë të hapur “që është projekti më ogurzi i cili për nga pasojat ua kalon edhe disa pushtimeve që vendi ka përjetuar në të kaluarën.

Edhe pse i izoluar në mënyrë ekstreme me 0 akses në internet e media sociale, asgje nuk me ndalon të punoj çdo ditë për zgjedhjet e 11 Majit edhe pse ato nuk janë as të fundit dhe as të parafundit për mua. Nuk mund ta kuptoj se cfarë mund ti pengonte ata që janë jashtë për të punuar pa humbur asnjë sekondë për të ardhmen e tyre e fëmijëve të tyre.

8- Keni një thirrje për qytetarët dhe anëtarët e PL-së?

Thirrja ime është për të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë dhe shqiptarët e përgjegjshëm, të mos e shpërdorojnë mundësinë historike të 11 Majit për ndryshim. Indiferenca është aleati më i mirë i Narkoregjimit ndërsa ballafaqimi e përballja është e vetmja rrugë për shembjen e kësaj kalbësire imorale dhe antishqiptare.