Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas kryerjes së procedurës hetimore, ka paraqitur aktakuzë në Gjykatën Themelore – Shkup kundër dy personave që gjatë katër viteve të kaluara organizonin lojëra fati pa autorizim, dhe paratë që kishin fituar nga kjo veprimtari i kishin vënë në qarkullim dhe kishin blerë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Me veprimet e ndërmarra, të akuzuarit kanë kryer krimin e organizimit të lojërave të fatit pa licencë ose leje nga autoriteti kompetent, sipas nenit 156, paragrafi 3 të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, si dhe krimin e pastrimit të parave dhe të ardhurave nga vepra penale, sipas nenit 273, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Në të njëjtën kohë, gjatë procedurës hetimore ndaj këtyre dy të akuzuarve, e cila ka filluar në nëntor të vitit të kaluar, është zhvilluar edhe një procedurë e shkurtuar për dy persona të tjerë për krimin e pastrimit të parave dhe të ardhurave nga vepra penale. Në këtë rast, bazuar në një marrëveshje, një person është dënuar dhe i është shqiptuar një masë alternative – dënim me kusht, me dënim burg prej një viti, i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen ndonjë vepër penale të re brenda dy viteve, ndërsa për personin tjetër është paraqitur një propozim akuzues.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat penale që u ngarkohen dhe ka propozuar që të konfiskohet pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e fituar nga këto vepra penale, dhe kjo përfshin: tre apartamente me hapësira anësore me sipërfaqe prej 32 m², 95 m² dhe 48 m², dy garazhe me sipërfaqe 20 m² dhe një 16 m², katër automjete të markës „Audi A7 Hibrid“, „Porsche E-Hibrid“, „Mercedes Benz“ model „E350 BlueTec“ dhe „Mini One D“, dy motoçikleta të markës „Piaggio“ dhe një të markës „Kawasaki Ninja“, një katërçikël të markës „Suzuki“, telefona mobilë, kompjuterë laptop dhe pajisje të tjera elektronike, para në shumën 500 euro dhe pothuajse gjysmë kilogram ari.