Zëvendëskryeministri Arben Fetai njoftoi se janë në fazën finale të përgatitjes së ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ai sqaroi se kjo do të bëhet përmes një zgjidhje të dakorduar me partnerët qeveritar Vlen, VMRO DPMNE dhe Znam. Fetai theksoi se ky ligj synon të gjejë zgjidhje të cilat nuk i ofronte balancuesi.

“Ligji në fjalë të cilin do e diskutojmë sot në takimin e radhës të grupit punues të koalicionit qeveritar synon të ofrojë zgjidhje konkrete ligjore, mekanizma kontrolli, mekanizmi zbatimi si dhe mekanizma sanksioni aty ku nuk zbatohet i njëjti nga institucionet në fjalë. Tani për tani nuk dua të hy në detaje për sa i përket mekanizmit të ligjit vetëm se dua të njoftoj se jemi në fazën finale. Me takimin e sotëm uroj që të gjejmë dakordimin dhe konsensusin final brenda koalicionit qeveritar”, tha zëvendëskryeministri Arben Fetai.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.