Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, përmes një statusi publik ka njoftuar për një lëvizje të fuqishme politike në komunën e Sarajit.

Sipas Mexhitit, disa nga figurat më të rëndësishme dhe themeltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në këtë rajon janë bashkuar me Lëvizjen Demokratike, duke i dhënë një shtysë të re kësaj force politike.

Në statusin e tij, Mexhiti theksoi:

“Rrugëtimi ynë po bëhet më i fortë, ndërsa gjithnjë e më shumë bashkëmendimtarë dhe ish-bashkëpartiakë tanë pa frikë po bashkohen vizionit tonë të drejtë. Sot, kënaqësi ju njoftoj se Lëvizjes Demokratike po i bashkohen figura të rëndësishme dhe themeltarë të BDI-së, dega Saraj.”

Ai veçoi disa emra të njohur nga dega e BDI-së në Saraj që tani i janë bashkuar vizionit të tij:
• Zeko Abazi, themelues i Kuvendit të BDI-Saraj dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.
• Muhamet Hoxha, ish-zëdhënës i Qeverisë dhe anëtar i Degës së BDI-Saraj.
• Jonuz Metushi, kryetar i Forumit Rinor të BDI-Saraj.
• Hatif Shabani, kryetar i Këshillit Vendor të BDI-Çajlanë.
• Bujamin Shabani, anëtar i Nëndegës Svillare.
• Drita Feta, koordinatore e Forumit të Gruas të BDI-Saraj.

Mexhiti i quajti këta individë “shtylla të forta” që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm ndër vite dhe tani kanë zgjedhur të jenë pjesë e “rrugës së drejtësisë dhe ndryshimit.”

Ai ftoi aktivistët dhe strukturat e ndershme të BDI-së që t’i bashkohen kësaj përpjekjeje për një të ardhme më të mirë:
“Ftoj të gjithë aktivistët dhe strukturat e ndershme të BDI-së që të bashkohen me ne në këtë përpjekje të sinqertë dhe të drejtë për një të ardhme më të mirë. Bashkë jemi më të fortë, bashkë ndërtojmë të ardhmen!”

Kjo lëvizje politike në Saraj pritet të shkaktojë tronditje të mëtejshme në skenën politike të vendit, duke riformuar balancat mes partive shqiptare.