Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza jo vetëm që shpëton jetë, por gjithashtu u dha shpresë konkrete njerëzve të Gazës, pengjeve, të afërmve të tyre dhe të gjithë rajonit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim Baerbock tha se sot është një ditë lehtësimi dhe më tej shtoi se “Një lehtësim ku tani mund të marrin fund vuajtjet e të gjitha palëve”.

Duke theksuar se marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit tregon se sa e rëndësishme është të mos heqësh dorë kurrë nga besimi në diplomaci edhe në orët më të errëta, Baerbock vlerësoi: “Lirimi i pengjeve dhe marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit jo vetëm që shpëton jetë, por gjithashtu u dha shpresë konkrete njerëzve të Gazës, pengjeve, të afërmve të tyre dhe të gjithë rajonit pas 15 muajsh”.

Baerbock u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë marrëveshjen, duke vënë në dukje se: “Pengjet duhet të lirohen shpejt dhe në përputhje me marrëveshjen. Ndihma humanitare duhet të ofrohet në një shkallë të gjerë për njerëzit në vështirësi në Gaza. Në mënyrë të ngjashme, duhet të zbatohet tërheqja e ushtarëve dhe kthimi i palestinezëve në lagjet e tyre”.

Ajo ka në dukje se armëpushimi mund të jetë hapi i parë drejt një procesi të mirëfilltë politik dhe një mundësi për zbatimin e shumë elementëve që kanë zhvilluar me partnerët rajonalë në muajt e fundit për një paqe të qëndrueshme.

“Ne nuk duhet ta humbasim këtë mundësi. Një zgjidhje e negociuar me dy shtete, vazhdon të jetë zgjidhja e vetme që do t’u mundësojë palestinezëve dhe izraelitëve të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet”, tha Baerbock.

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman, njoftoi arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës, duke theksuar se zbatimi i saj do të fillojë këtë të dielë.

Armëpushimi u njoftua në ditën 467-të të fushatës gjenocidale të Izraelit kundër Gazës, e cila ka vrarë mbi 46.700 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga një sulm ndërkufitar i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023. Rreth 1.200 njerëz u vranë në atë sulm, dhe rreth 250 të tjerë u morën në Gaza si pengje.