Emisari i Shteteve të Bashkuara për Misione të Posaçme, Richard Grenell, ka thënë se marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit janë dëmtuar gjatë administratës së presidentit demokrat, Joe Biden, duke shtuar se “grindjet politike dhe veprimet e njëanshme” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë përkeqësuar marrëdhëniet.

“Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës vuajtën gjatë presidencës së Bidenit. Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë kritikuan veprimet dhe paaftësinë e Kurtit për të rritur ekonominë e Kosovës. Kurti zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme. Ai i solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në nivelin më të ulët”.

Një ditë më herët, ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi pyeti qeverinë aktuale kosovare pse nuk është ankuar asnjëherë më parë ndaj administratës Biden, duke theksuar kontrastin në qëndrimet e deritanishme të liderëve në Prishtinë.

“Kaluan katër vjetët e fundit duke komplimentuar Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”, shkroi ai në “X” të mërkurën, duke reaguar ndaj deklaratës së kryekuvendarit kosovar, Glauk Konjuca, i cili vlerësoi se administrata Biden i ka vendosur në “disavantazh” ndaj Serbisë.

Kosova ka gëzuar mbështetjen e secilës administratë amerikane, përgjatë dekadave, pavarësisht kush ka qenë banor i Shtëpisë së Bardhë. Por, marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit kanë përjetuar një valë sizmike tensionesh dhe mosmarrëveshjesh vitet e fundit, të cilat kanë filluar pas ardhjes së Kurtit në pushtet në Kosovë.