Një grua nga Alabama në SHBA kaloi të shtunën një moment historik. Ajo u bë personi më jetëgjatë me një organ të derrit në trup.
Ajo është e shëndetshme dhe plot energji me veshkën e saj të re, të marrë nga derri. Ka mbi dy muaj që nga transplantimi.
“Unë jam supergrua”, tha Towana Looney për “Associated Press”.
Rimëkëmbja impresive e Looneyt është një nxitje në përpjekjen për të bërë realitet transplantimet e organeve të kafshëve për te njeriu.
Vetëm katër amerikanë të tjerë kanë marrë transplantime jashtëzakonisht eksperimentale të organeve të derrit të modifikuara gjenetikisht – dy zemra dhe dy veshkë – dhe asnjëri nuk ka jetuar më shumë se dy muaj.
“Nëse do ta shihnit në rrugë, nuk do ta kishit idenë se ajo është i vetmi person në botë që ecën me një organ derri që funksionon”, thotë doktori Robert Montgomery nga “NYU Langone Health”, që kreu transplantimin.
Montgomery e quajti funksionin e veshkës së transplantuar te Looney si “absolutisht normal”.
Mjekët shpresojnë se ajo do të mund të largohet nga New Yorku, ku po jeton përkohësisht për kontrolle pas transplantimit. Po shpresojnë se mund të kthehet në Gadsden të Alabamas muajin tjetër.
Shkencëtarët po i ndryshojnë gjenetikisht derrat në mënyrë që organet e tyre të ngjasojnë më tepër me ato të njeriut, kjo për të mbuluar mungesën e madhe të organeve njerëzore të transplantueshme. Më shumë se 100 mijë persona janë në listat e pritjes për transplantim të organeve në SHBA, shumica që kanë nevojë për veshka, ndërsa mijëra vdesin duke pritur.
Transplantimi i organeve të derrit te njeriu deri më tash ka qenë për rastet ku njerëzit s’kanë opsione tjera.
Një pjesë e vogël e spitaleve, që po i kryejnë transplantimet, po ndajnë informacione se çfarë funksionoi e çfarë jo, në përgatitje për studimet e para formale në botë të ksenotransplantimit, që pritet të fillojnë diku vitin tjetër.
“United Therapeutics”, që siguroi veshkën për Looneyn, kohët e fundit i ka kërkuar Administratës së Ushqimit dhe Barnave në SHBA për ta filluar një studim.
Mënyra e si shkon situata me Looneyn është “përvojë shumë e çmuar”, thotë doktori Tasuo Kawai nga Spitali i Përgjithshëm i Massachusettsit.
Looney ishte dukshëm më e shëndetshme dhe pacientët e mëhershëm, thotë Kawai, kështu që përparimi i saj do të ndihmojë për tentimet e radhës.
“Ne duhet të mësojmë nga njëri-tjetri”, thotë Kawai.
Looney ia kishte dhuruar një veshkë nënës së saj në vitin 1999. Më vonë gjatë komplikimeve në shtatzëni ajo kishte përjetuar shtypje të lartë të gjakut që ia dëmtoi veshkën e mbetur, e cila dështoi më pas. Një gjë shumë e rrallë në mesin e dhuruesve. Ajo kaloi tetë vjet në dializë para se mjekët të dilnin në përfundim se me gjasë kurrë nuk do të mund të marrë më një organ nga njeriu. Ajo zhvilloi nivele shumë të larta të antitrupave që destinohen për të sulmuar një veshkë tjetër njeriu.
Kështu që Looney 53-vjeçare vendosi për eksperimentin e transplantimit të veshkës së derrit. Askush nuk e dinte se di do të funksiononte.
Ajo u lirua vetëm 11 ditë pas operacionit më 25 nëntor. Ekipi i Montgomeryt ka ndjekur nga afër rikuperimin e saj përmes analizave të gjakut dhe matjeve tjera. Rreth tre javë pas transplantimit, ata kapën shenjat delikate se po fillonte refuzimi i organit – shenja që ata mësuan falë eksperimentit të vitit 2023 kur një veshkë derri funksionoi për 61 ditë brenda trupit të një njeriu të vdekur, trupi i të cilit ishte dhuruar për hulumtime.
Montgomery tha se ata në mënyrë të suksesshme trajtuan Looneyn dhe nuk ka shenja të refuzimit tashmë. Dhe disa javë më parë ajo takoi familjen e burrit, trupi i të cilit ishte dhuruar për studime.
“Ndihem shumë mirë që vendimi që mora për të lejuar përdorimin e trupit të vëllait tim për hulumtim ishte vendim i duhur dhe po ndihmon njerëzit”, thotë Mary Miller-Duffy nga Newburgh, New York.
Looney po mundohet të ndihmojë njerëzit tjerë.
S’ka asnjë mënyrë për të parashikuar se si do të funksionojë veshka e re e Looneyt.
“E vërteta është se nuk e dimë vërtetë se cilat janë pengesat e ardhshme, sepse kjo është hera e parë që kemi arritur deri këtu”, tha Montgomery.