Në ceremoninë e lamtumirës për Kryepeshkopin Anastasi, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mbajti një fjalim ngushëllues dhe plot respekt për jetën dhe veprën e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.

Ai e përshkroi Kryepeshkopin Anastas si një njeri të guximshëm dhe shpresëdhënës, që kontribuoi me pasion dhe përkushtim në forcimin e lidhjeve mes dy popujve dhe në zhvillimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri.

Mitsotakis vlerësoi trashëgiminë e paharrueshme që Kryepeshkopi la pas dhe ndikimin e tij të thellë në jetët e shumë besimtarëve dhe qytetarëve.

“Largimi i tij nga jeta lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit, për të cilin ai ishte, për dekada me radhë, një dritë udhërrëfyese. Një dritë dashurie dhe sakrifice, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje dhe efikasiteti. Një dritë e Orthodhoksisë dhe e jetës së krishterë”, tha Mitsotakis.

Mitsotakis kujtoi dhe një nga shprehjet që Kryepeshkopi Anastas jepte si përgjigje ndaj kritikëve: “Gurët që na hedhin, ata që luftojnë kundër veprës sonë,” thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë “ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla.” E thoshte dhe e nënkuptonte. Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë”.

Fjala e Plotë e Kryeministrit Mitsotakis:

“Guxojmë të shpresojmë.” Këto tri fjalë, mendoj, përmbledhin jetën dhe veprën e hierarkut që po përcjellim sot. Sepse, pikërisht, guximi dhe shpresa ishin dy busullat që gjithmonë udhëhiqnin Anastasin në rrugëtimin e tij të mrekullueshëm. Një rrugëtim gjithnjë pranë njeriut dhe të drejtave të tij, herë si një misionar i përulur në Afrikën e fëmijëve të uritur, herë si një mbështetës i heshtur i studentëve në Greqinë e diktaturës dhe, sigurisht, si një rigjallërues i madh dhe një nismëtar i palodhur i Orthodhoksisë në Shqipëri. Përulemi me nderim para madhështisë së këtij personaliteti të veçantë.

Sepse Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ishte njëherazi një intelektual i besimit dhe një shërbëtor i përulur i të afërmit të tij. Me fjalë të tjera, një shembull i ndritur i urtësisë, por edhe i veprimit. Largimi i tij nga jeta lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit, për të cilin ai ishte, për dekada me radhë, një dritë udhërrëfyese. Një dritë dashurie dhe sakrifice, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje dhe efikasiteti. Një dritë e Orthodhoksisë dhe e jetës së krishterë.

Shumica prej të pranishmëve e dinë mirë se çfarë arriti Anastasi që nga çasti i parë kur mbërriti në Shqipëri, në vitin 1991. Në një vend të rrënuar nga regjimi autoritar, me të krishterët të persekutuar dhe bashkëkombasit tanë të lënë në harresë. Megjithatë, duke marrë forcë nga besimi i tij i thellë, ai hodhi themelet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Krijoi mbi 400 enori, ndërtoi qindra kisha dhe dorëzoi 145 klerikë të rinj. Njëkohësisht, hapi dhjetëra institucione arsimore, shëndetësore dhe bamirëse. Një mrekulli e vërtetë mes rrënojave!

“Gurët që na hedhin, ata që luftojnë kundër veprës sonë,” thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë “ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla.” E thoshte dhe e nënkuptonte. Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepeshkopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet “diplomati i dashurisë.” Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur.

Zonja dhe zotërinj, miq të dashur, Jam një nga fatlumët që pata mundësinë ta njoh dhe të bashkëpunoj për vite me radhë me hierarkun tonë. Dhe nuk e fsheh që e konsideroj këtë përvojë jo vetëm një angazhim profesional, por edhe një pasuri personale. Sepse ai ishte, siç e kishte quajtur im atë, “i shenjtë dhe i urtë.” Një njeri që të magjepste me dijet e tij dhe një karakter që, pa e shprehur me fjalë, të ftonte me shembullin e tij të bëheshe më i mirë. Pikërisht këtu përputheshin edhe rrugët tona: në aftësinë për të kuptuar problemet e shumicës, veçanërisht të më të dobëtëve, dhe në përkushtimin për të luftuar, pavarësisht vështirësive, që ato të gjenin zgjidhje.

Për grekët dhe orthodhoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur, duke ofruar shpresë dhe udhëzim shpirtëror për besimtarët orthodhoksë kudo në botë. Me urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij, ai dëshmoi se Kisha Orthodhokse mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror, që bashkon popujt.

Prandaj, sot të gjithë ndjejmë një trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë përgjegjësie për trashëgiminë e rëndë që ai na lë. Si bari shpirtëror, ai ndërtoi kisha. Si udhëheqës, ai krijoi ura bashkëpunimi mes popujve dhe feve. Ai tregoi se si mund të jesh njëkohësisht një grek i vërtetë dhe një figurë universale. U bëftë shembulli i tij një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë dhe vepra e tij gjettë pasues të denjë.

E përcjell me të njëjtat fjalë që ai vetë na la si amanet: “Guxojmë të shpresojmë.”