Qindra banorë në prefekturën Saitama, afër Tokios, janë evakuuar pasi një gropë gjigante u hap në mes të rrugës në një kryqëzim dhe u zgjerua me një diametër deri në 40 metra.
Gropa fillestare, e cila përpiu një kamion tretonësh së bashku me shoferin e tij 74-vjeçar, ka arritur tani një diametër katër herë më të madh se sa ishte kur u shfaq për herë të parë, njoftuan autoritetet lokale të premten.
Ekipet e shpëtimit kanë përdorur vinça për të ngritur pjesërisht kamionin dhe kanë dërguar dronë nëntokë, por nuk kanë arritur të komunikojnë me shoferin që nga dita e aksidentit.
Autoritetet dyshojnë se shkak i shembjes është prishja e tubacioneve të vjetra të kanalizimeve. Ujërat e zeza që rrjedhin mund të kenë gërryer tokën përreth, duke zgjeruar më tej gropën, thanë zyrtarët.
Për të parandaluar përkeqësimin e situatës, rreth 200 familje janë evakuuar, ndërsa mbi 1,2 milionë banorë janë këshilluar të kufizojnë përdorimin e ujit.
Kjo ngjarje ka ngritur shqetësime mbi sigurinë e infrastrukturës së vjetër në Japoni. Ekspertët paralajmërojnë se rrjetet e kanalizimeve, ndërtuar kryesisht në vitet 1960-1970, po degradojnë me kalimin e kohës, duke rritur rrezikun e shembjeve të ngjashme.
Ndërkohë, operacioni i shpëtimit mbetet i vështirë. Për shkak të terrenit të paqëndrueshëm, përdorimi i makinerive të rënda është i rrezikshëm, pasi mund të shkaktojë shembje të mëtejshme. Ekipet e emergjencës po ndërtojnë një rampë për të mundësuar afrimin e pajisjeve të shpëtimit nga një kënd më i sigurt.
Autoritetet kanë nisur inspektime emergjente në Saitama dhe gjashtë prefektura të tjera për të vlerësuar rrezikun e rrjetit të kanalizimeve, duke marrë masa për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.