I dyshuari për sulmin në New Orleans besohet të ketë vdekur, ka thënë një zyrtar i zbatimit të ligjit për rrjetin amerikan NBC News.
Policia dhe FBI-ja nuk e bënë të qartë këtë gjatë konferencës për shtyp, megjithëse thanë se ishte qëlluar ndaj oficerëve të policisë.
Një burrë hyri me një kamionçinë drejt turmës së njerëzve në një zonë të njohur të qytetit rreth orës 03:15 të mëngjesit, duke vrarë 10 persona dhe duke plagosur të paktën 35 të tjerë.
Kryebashkiakja e New Orleans, LaToya Cantrell tha se qyteti ishte prekur nga një “sulm terrorist” dhe se ajo ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, FBI-ja, e cila drejton hetimin, tha se “nuk ishte një ngjarje terroriste” por “pajisje shpërthyese të improvizuara” ishin gjetur dhe po bëheshin kontrolle për të parë nëse ato ishin “të zbatueshme”.
Superintendentja e Policisë së New Orleans, Anne Kirkpatrick tha se kamioni po udhëtonte me “shpejtësi shumë të lartë” dhe shoferi po tregonte “sjellje shumë të qëllimshme”.
Ajo përjashtoi mundësinë që të ishte një incident vozitjeje në gjendje të dehur, duke thënë se autori ishte “i vendosur të krijonte masakër”.
Shoferi ka qëlluar edhe nga automjeti pasi e ka përplasur atë, duke qëlluar dy oficerë policie, tha ajo.
Të dy oficerët janë në gjendje të qëndrueshme në spital.
Banorët u është kërkuar nga të gjithë zyrtarët që të qëndrojnë larg zonës në rrugën Bourbon.