Autoritetet izraelite kanë arrestuar dy rezervistë ushtarakë me akuzën se i kanë ofruar Iranit informacione të klasifikuara të sigurisë kombëtare, veçanërisht në lidhje me sistemin e mbrojtjes Iron Dome (Kupola e Hekurt).

Kështu shkruan gazeta “Yedioth Ahronoth”, sipas së cilës dy të dyshuarit, Yuri Ilyasivov dhe Georgi Andreev, rreth njëzet vjeç, kanë pranuar akuzat ndaj tyre. Ata kanë rrëfyer se kishin marrë dëmshpërblime financiare në këmbim të informacionit sensitiv, duke ia transmetuar të dhënat Teheranit.

Hetuesit dyshojnë se Ilyasifov i dërgoi një agjenti të huaj një video të “Kupolës së Hekurt” (Iron Dome) të marrë gjatë shërbimit të tij ushtarak, duke theksuar se ai ishte në vështirësi financiare.

Sipas hetimit, Ilyasifov ra në kontakt me një iranian përmes mediave sociale ndërsa kërkonte punë, dhe më pas e bindi Andreev që ta ndihmonte me premtimin se do të përfitonte financiarisht.

Sipas asaj që arritën të zbardhin hetuesit izraelitë, Ilyasifov do të merrte 2500 dollarë, ndërsa Andreev vetëm 50 dollarë.