Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, sot feston ditëlindjen e tij të 74-të, për herë të pestë në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Jakup Krasniqi u arrestuar më 04.11.2020 nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara dhe ishte dërguar në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.