Janevska: Në këtë shtet, askush nuk mund t’ia ndalojë askujt që ta dëgjojë, intonojë dhe këndojë himnin
Deri më 20 apo 25 janar do të jetë gati propozim ligji për Arsim të Mesëm, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, përcjell TV21. Janevska tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e koalicionit dhe se po përpunohen disa nene nga propozim ligji paraprak, pas çka i njëjti do të dorëzohet në Kuvend. Ministrja tha se vlerëson që nuk është gabim i madh nëse hiqet neni ku mes tjerash parashihej që në fillim dhe fund të vitit shkollor, por edhe gjatë manifestimeve, të intonohet himni shtetëror.
“Nuk do të lejojmë që politika t’i ndërpres proceset në arsim, nga këtu vlerësoj që nuk është gabim i madh që të tërhiqet ai nen, posaçërisht pasi në këtë shtet, askush nuk mund t’ia ndalojë askujt që ta dëgjojë, intonojë dhe këndojë himnin, atyre që duan. Unë sinqerisht shpresoj që në të ardhmen, të gjithë do të ndihemi si qytetarë të një shteti të vetëm dhe të gjithë do të respektojmë simbolet e shtetit tonë të përbashkët dhe se kjo nuk do të jetë problem”, tha mes tjerash Janevska.