Kosova njihet si një prej vendeve me më së shumti qarkullim të automjeteve.
Mungesa e metrove, mos-përdorimi i biçikletave si dhe kaosi që shkaktohet zakonisht brenda autobusëve ua pamundëson thuajse lëvizjen me ndonjë mjet tjetër transporti, përpos automjeteve.
Kësisoj shumë prej banorëve të vendit tonë detyrohen që të mbajnë veturat ndoshta shpesh herë me më shumë shpenzime familjare, por që të arrijnë të kryejnë obligimet të cilat kanë.
Nevoja për të lëvizur nga një vend në tjetrin me makina e ka bërë edhe më të lartë numrin e atyre të cilët testohen e më pas pajisen me patentë shoferë.
Numër i lartë i personave të cilët janë pajisur me patentë-shoferë po del të jetë edhe viti 2024. Brenda vitit që kemi lënë pas janë gjithsej 83 mijë e 579 qytetarë të cilët janë pajisur me patentë shoferë.
Bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive asaj të Punëve të Brendshme e asaj të Infrastrukturës në këtë fushë del të jetë mjaftë i rëndësishëm.
Kjo pasi në lidhje me testimin e kandidatëve për patentë shoferë të të gjitha kategorive qoftë të provimit teorik apo praktik përgjegjës është ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, respektivisht Departamenti i Patentë-Shoferëve.
Nga kjo ministri në një përgjigje për lajmi.net, kanë thënë se që nga data 1 janar 2024 e deri më 30 nëntor janë testuar në provimin teorik 94 mijë e 819 kandidatë, kurse nga provimi praktik janë vlerësuar gjithsej 56 mijë e 358 kandidatë.
“Sa i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Departamenti për Patent Shofer është kompetente për testimin e kandidatëve për patent shofer të të gjitha kategorive qoftë të provimit teorik apo praktik ku gjatë vitit 2024 nga 01. Janar 2024 deri më 30 nëntor 2024 janë testuar nga provimi teorik 94 819 kandidat, kurse nga provimi praktik janë vlerësuar gjithsej 56358 kandidat (gjithmonë duke u mbështetur në raportet e e-testimit”, thuhet në përgjigje.
E ky vit të cilin kemi lënë pas ishte shumë i rëndësishëm edhe për ata që iu duhej të ndërronin patentë-shoferët.
Rreth kësaj pyetje për lajmi.net, është përgjigjur ministria e punëve të brendshme të cilët thanë se gjatë këtij viti 6 mijë e 509 persona kanë kërkuar ndërrim të patentë-shoferëve, e këtu përfshihen edhe shumë qytetarë nga komuniteti serb e të cilët jetojnë në Kosovës- sidomos në pjesën veriore.
“Numri i qytetarëve që kanë aplikuar për ndërrimin e patentë shoferit sipas vendimeve 258/2024 dhe 457/2024 është 6509”, kanë thënë nga ministria e MPB-së.
E lajm pozitiv për qytetarët mbetet fakti se as këtë vit nuk ka pasur ndryshim apo shtrenjtim të çmimeve për patentë-shoferë.
Nga MMPHI-ja kanë thënë se sipas legjislacionit në fuqi nuk ka pasur ndryshime të çmimeve për patentë- shoferë.
Tashmë për të gjithë personat të cilët shkojnë për të marrë patentë-shoferë, procedurat për këtë çështje shihet të jetë lehtësuar pasi testimi po bëhet në mënyrë digjitale.
Nga Ministria e Infrastrukturës kanë thënë se testimi në mënyrë digjitale (e-testimi), ka krijuar një mundësi unike për kandidatë pasi ofron edhe disa përfitime.
“Procedura e marrjes së patentë-shoferëve është lehtësuar në shumë aspekte për shkak të digjitalizimit të testimit”, thuhet në përgjigje.
Testimi në mënyrë digjitale (e-testimi) ofron disa përfitime si:
Saktësi dhe transparencë: Testimi digjital (e-testimi) eliminon mundësinë e gabimeve njerëzore në korrigjimin e testeve dhe siguron rezultate të menjëhershme.
Thjeshtësi në proces: Kandidatët mund të ndjekin një sistem të strukturuar më mirë, duke ndjekur pyetjet një nga një në një platformë të digjitalizuar, gjë që e bën testimin më të qartë dhe më të menaxhueshëm.
Kursim kohe: Procesi është më i shpejtë, pasi rezultatet janë të disponueshme menjëherë pas përfundimit të testit.
Procesi i digjitalizimit filloi këtë vit pasi vitin e kaluar në bazë të të gjeturave në njësitin në Pejë, ishte hasur në 666 kandidatë që gjatë vitit 2023, kanë kaluar provimet aty dhe vet ata kandidatë kishin qenë nga qytete të tjera dhe se kjo metodë ishte dyshuese.
Për këtë kishte folur edhe zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi i cili kishte thënë se në platformën e-Kosova, do të mund të paraqiten provimet dhe ndarja e terminëve të bëhet online.
Derisa ishte shprehur se përkundër përpjekjeve për një sistem ligjor për patentë shofer të ligjshëm, keqbërësit po gjejnë forma të pajisen me patentë shofer në mënyrë korruptive.
Një hap i rëndësishëm i marrë gjatë këtij viti në këtë ministri ka të bëjë edhe me ndërlidhjen e tyre me platformën e-Kosova, ku kandidatët mund të shërbehen përmes e-Kosovës lidhur me caktimin e provimit si teorik ashtu edhe praktik.
Tutje përmes platformës e-Kosova është mundësuar edhe nxjerrja e certifikatës për qytetarët pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në Njësinë për Patentë-Shofer.
“Gjatë këtij viti kemi realizuar edhe ndërlidhjen me e-Kosova, ku kandidatet mund të shërbehen përmes e-Kosovës lidhur me caktimin e provimit si teorik ashtu edhe praktik, gjithashtu është lansuar përmes e-Kosovës edhe nxjerrja e certifikatës përfundimtare për qytetarët pa pas nevojë të paraqiten fizikisht në Njësinë për Patent- Shofer”, theksohet në përgjigje.
E sipas informacioneve të deritanishme bëhet e ditur se procesi i digjitalizimit është në fazën e fundit të zhvillimit të tij.
“Procesi i digjitalizimit është në fazën e fundit të zhvillimit të tij, megjithatë ka edhe disa faza të cilat do të finalizohen gjatë vitit 2025”, u tha nga kjo ministri.
Ndërkaq këtë vit po ashtu për herë të parë Ministria e Infrastrukturës e ka bërë edhe doracakun për patentë shofer.
Derisa numri i atyre që marrin patentë-shoferë brenda vitit, i lartë është edhe numri i atyre që këtë vit iu morën këto leje.
Si shkak i shkeljes së rregullave në trafik në raste të shpeshta, Policia e Kosovës përpos që i gjobiti drejtuesit e makinave ua morie dhe patentë-shoferët.
Kjo si shkak i rrezikut të lartë që kanë shkaktuar për veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik në thyerjen e rregullave.