Siguria kontinentale dhe gjeopolitika më e sigurt vjen nga zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor. Kështu tha kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në seancën plenare të Parlamentit Evropian mbi konkluzat e samitit të 19 dhjetorit. Sipas tij, vendet aspirante po përmbushin obligimet dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Bashkimi Evropian.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj zgjerimit si investimi më i madh gjeopolitik për paqen dhe sigurinë, për popullin tonë dhe kontinentin tonë. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia po punojnë shumë për të përmbushur angazhimet e tyre. Nuk ka dyshim se e ardhmja e këtyre vendeve është në Bashkimin tonë. Është koha që ne t’i zbatojmë premtimet tona, ashtu siç ata i përmbushin detyrimet e tyre”, – deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.

Lejen: Kemi hyrë në epokë të konkurrencës

Që Evropa ka hyrë në një epokë të re të konkurrencës së ashpër gjeostrategjike, tha edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen. Bota sot është multipolare dhe hap mundësi të reja për Evropën, tha ajo, duke shtuar nevojën e përforcimit evropian në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe të BE-së me vendet e treta, bazuar në interesat e përbashkëta dhe prosperitet të ndërsjellë.

“Kjo dinamikë e re do të dominojë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet ndërmjet aktorëve globalë. Rregullat e angazhimit po ndryshojnë. Disa në Evropë mund të mos pëlqejnë këtë realitet të ri, por ne duhet të përballemi me të. Vlerat tona nuk ndryshojnë, por që t’i ruajmë ato duhet të ndryshojë diçka, para së gjithash, kemi detyra të shtëpisë. Nëse duam t’i mbrojmë interesat duhet të jemi po ashtu ekonomikisht të fuqishëm.”, – theksoi kryetarja e KE-së, Ursula von der Lejen.

Kryeministri bullgar takon krerët e BE-së

Krerët e institucioneve të BE-së në Strasburg, takim me kryeministrin e ri të Bullgarisë, Rosen Zheljaskov.

Sipas mediave të huaja, ky i fundit ua ka prezantuar prioritetet kryesore të Qeverisë bullgare. Po ashtu është vërtetuar besimi i ndërsjellë mes Qeverisë bullgare dhe institucioneve të reja të Unionit.

Në fokus të bisedimeve edhe temat nga agjenda evropiane.

Paraprakisht kryeministri, Zheljaskov, është takuar me eurodeputetët bullgarë, ku ka theksuar kthimin e Bullgarisë në qendër të proceseve politike në Evropë.