Kryediplomati i ri amerikan Marco Rubio do të vizitojë Panamanë pas zotimit të Trumpit për të rimarrë kanalin
Sekretari i sapobetuar amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Panamanë në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit si kryediplomati i vendit, transmeton Anadolu.
Vizita vjen pas komenteve kontroverse të presidentit Donald Trump muajin e kaluar, duke pretenduar se Kina po operon Kanalin e Panamasë. Trump kërcënoi gjithashtu se SHBA-ja do të “rimarrë” kanalin kyç, të cilin e ndërtoi në fillim të shekullit të 20-të.
Pekini ka mohuar përfshirjen në operacionet e kanalit, duke deklaruar se “nuk ka qenë i përfshirë në menaxhimin ose funksionimin e Kanalit të Panamasë”. Një kompani nga Hong Kongu operon porte në dy anët e kanalit, por jo vetë kanalin. Ministri i Jashtëm i Panamasë, Javier Martinez-Acha, gjithashtu ka reguar, duke theksuar se “sovraniteti i kanalit tonë nuk është i negociueshëm”.
Udhëtimi i Rubios, që pritet të zhvillohet nga fundi i janarit deri në fillim të shkurtit, mund të përfshijë ndalesa në Guatemalë, El Salvador, Kosta Rikë dhe Republikën Domenikane. Ndërsa detajet janë ende duke u finalizuar, udhëtimi mund të fillojë që në fillim të javës së ardhshme, sipas Fox News.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce konfirmoi planet të mërkurën vonë, duke theksuar fokusin e Rubios në forcimin e lidhjeve në hemisferën perëndimore, duke thënë: “Është vendi ku jetojmë”.