Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke filluar nga nesër dhe për disa ditë në vijim, do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri, i shoqëruar nga ministri i Politikës dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, do të marrin pjesë në ceremoninë inauguruese të Presidentit të ri amerikan, Donald Trump, në Uashington.

Ndër të tjera, delegacioni i udhëhequr nga kryeministri Mickoski do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e titulluar “Zërat e Lirisë”, e cila do të mbahet pas inaugurimit dhe do të organizohet nga kompanitë “Trump Media” dhe “Rumble”.

Pritet që gjatë qëndrimit, kryeministri Mickoski të zhvillojë disa takime bilaterale, kontakte dhe takime me anëtarë të rinj të administratës së presidentit amerikan. Gjithashtu, kryeministri Mickoski do të zhvillojë takim me biznesmenë me origjinë maqedonase, ku do të diskutohet për bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për investime vendase.