Një 33-vjeçar është arrestuar këtë të shtunë në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve në automjetin e tij u gjet një armë zjarri.
Ky person rezulton me rekorde të mëparshme kriminale dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Gjatë kontrollit policia i sekuestroi 33-vjeçarit një armë zjarri sëbashku me një krehër dhe municion luftarak.
“Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën policore, se një shtetas qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Si rezlutat i veprimeve të shpejta operacionale u kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A.N, 33 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm në fushën e krimeve ndaj personit.
Në rrugën “Sali Butka”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A.N., dhe gjatë kontrollit të çantës së supit, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krehër e municion luftarak”,-thuhet në njoftim.