Propozim ligji për përfaqësim të drejtë vazhdon të prodhojë debate, akuza dhe kundër akuza mes partive politike.

Nga koalicioni opozitar Fronti Europian thonë se janë të gatshëm për ta ndihmuar Qeverinë në përpilimin e ligjit të lartëpërmendur.

Deputeti Salih Murat nga ky koalicion njofton se draft ligjin për përfaqësim të drejtë e kanë gati.

SALIH MURAT- FRONTI EUROPIAN

“Kemi argumente shumë të forta për sjelljen e një ligji të tillë, por presim që koalicioni i shumicës qeveritare të përgatisin draft verzionin e tyre që të shohim se çfarë do të përfshij ligji i tyre. Edhe në kohën kur u paralajmërua ne kishim dyshime se një ligj të tillë, sepse disa herë pjestarët e Qeverisë thanë se duhet presim, por nga ana tjetër, gjersa presim padrejtësia po u bëhet qytetarëve për përfaqësim të drejtë, veçanërisht, pas anulimit të “Balancuesit”. Ne jemi gati nëse gjindet gjuhë e përbashkët që ta ndihmojmë Qeverinë në këtë sferë, për ligj më të mirë.”

Duke ju përgjigjur Frontit Europian, deputeti i VLEN, Rijad Shaqiri thotë se janë pranë finalizimit të propozim ligjit.

Shton se në ligj do të përfshihet përfaqësimi i drejtë në të gjithë institucionet dhe paralajmëron gjoba të ashpra për ata të cilët nuk do ta respektojnë ligjin.

RIJAD SHAQIRI – VLEN – DEPUTET

“Do të jetë ligj gjithëpërfshirës do të përfshijë të gjithë institucionet shtetërore, fundja dmth edhe logjika e sjelljes së këtij ligji është ajo. Ligji përveç se ngërthen në vete përparësitë do të ngërthejë edhe sanksionet. Gjithsesi do të insistojmë që sanksionet të jenë sanksione më përmasa më ekstreme në drejtim të asajë që gjobat të jenë edhe më të larta për ata të cilët nuk mendojnë ta respektojnë, po fundja do të jetë edhe mekanizmi i dyfishtë apo nënshkrimi i kufizuar brenda për brenda agjencionit për administratë.”

Për ligjin në fjalë foli edhe deputeti i VMRO-së, Bojan Stojanovski, i cili gjithashtu tha se brenda koalicionit po bisedohen detajet e fundit të ligjit.

Ai paralajmëroi se para se të sillet në Kuvend, propozim ligji do të dorëzohet tek komisioni i Venecias.

Thotë se propozim ligji do të bazohet në bazë të popullatës rezidente dhe thotë se vendit nuk i nevojiten zgjidhje të shpejta ligjore të cilët më pastaj do të anulohen nga Gjykata Kushtetuese.

BOJAN STOJANOVSKI – VMRO-DPMNE

“Propozim ligji së shpejti do të finalizohet dhe do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët. Qëndrimi ynë është i qartë, propozim ligji do të dorëzohet tek Komisioni i Venecias meqëllim që ta kalojmë atë që në të kaluarën kishte ndodhur, që të mos sjellim ligj që është në kundërshtim me kushtetutën. Neve na nevojitet zgjidhje ligjore e cila më pas nuk do të ndryshojë dhe e cila në bazë do të garantojë të drejta për të gjithë komunitetet në këtë vend.”

Ndryshe, në muajt e fundit të vitit që lam pas, Gjykata Kushtetuese abrogoi dhe hoqi nga përdorimi mekanizmin e Balancuesit, nga ajo kohë VLEN dhe shumica parlamentare kanë premtuar ligj të ri, i cili ende nuk po gjen dritë dhe nuk dihet se kur do të jetë para deputetëve. /tvklan.mk