Prej sot ka hyrë në fuqi zbatimi i dispozitave penale të ligjit për parandalimin e praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit me produkte bujqësore dhe ushqimore.

Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, i përbërë nga 7 anëtarë, është ai i cili ka për detyrë t’i kontrollojë tregtarët nëse e zbatojnë ose jo ligjin në praktikë.

Në varësi të shkeljes së këtyre dispozitave, anëtarët e komisionit në bazë të detyrës zyrtare me kërkesë të një personi fizik ose juridik kanë të drejtë të iniciojnë procedurë penale dhe të marrin vendimin përfundimtar, gjobat të cilat lëvizin prej 50 e deri më 20 mijë euro për tregtarët.

Deri në këto momente nuk është denoncuar asnjë rast për shkelje të dispozitave të këtij ligji, thonë nga komisioni.

“Deri më tani në komision nuk ka arritur asnjë kërkesë për inicimin e ndonjë procedure penale dhe as nuk ka ardhur asnjë informacion nga furnizuesit apo qoftë edhe nga personat që dëshirojnë të mbeten anonimë mbi të cilin ne do të vepronim në bazë të detyrës zyrtare dhe dispozitave penale të Ligjit për praktikat e padrejta tregtare.”, thuhet në përgjigjen e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës.

Ligji për praktikat e padrejta tregtare u miratua më 13 mars të vitit të kaluar dhe hyri në fuqi më 28 shtator, kur ishte edhe afati i fundit që tregtarët të harmonizojnë kontratat e furnizimit me furnizuesit dhe prodhuesit ku kostot e zbritjes dhe të marketingut të jenë të kufizuara në 10 për qind.

Tashmë me zbatimin e dispozitave penale të këtij ligji, pritet të rregullohen marrëdhëniet ndërmjet prodhuesve, furnizuesve dhe tregtarëve dhe të ketë stabilizim të çmimeve të produkteve ushqimore.

Ligji për praktikat e padrejta tregtare përfshin rreth 2.548 produkte bujqësore dhe ushqimore dhe gjatë periudhës së kaluar janë evidentuar 26 praktika të padrejta tregtare.